Pandemia Covid-19 goditi rëndë ekonominë shqiptare dhe turizmin, i cili është një nga degët më të rëndësishme të saj.
Për shkak të mbylljes së kufirit vitin e kaluar, industria e turizmit në Shqipëri funksionoi kryesisht në atë që përshkruhet si turizëm patriotik ’; d.m.th pushuesit vendas dhe shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar numri i turistëve u ul me 60 përqind.
Agjencitë e udhëtimit kanë zvogëluar bizneset e tyre në masën mbi 60%. Shumë restorante dhe hotele janë zvogëluar. Guidat turistike ishin pothuajse pa punë. Transporti turistik pësoi një rënie të ndjeshme.
Por cilat janë pritshmëritë dhe sfidat për këtë sezon turistik?
Shqipëria ka reaguar mirë në përballjen me pandeminë e Covid-19, duke vaksinuar popullatën dhe, së bashku me Islandën, është ndër vendet me ritmin më të mirë të vaksinimit në Evropë.
Lehtësimi i masave, heqja e kufizimeve për të hyrë në Shqipëri dhe ulja e numrit të infeksioneve kanë filluar të rrisin shpresat për industrinë shqiptare të turizmit. Aktivitetet e para me tubime masive kanë filluar të organizohen në bregdetin shqiptar, duke dhënë ndjesinë se vendi po kthehet në atmosferën e para pandemisë. Shfaqjet në natyrë kanë rifilluar në Durrës, rrugët e ultësirës shqiptare po vuajnë trafikun e zakonshëm të perjudhës së dyndjeve turistike, shumë autobusë nga Kosova po vijnë përsëri në një mënyrë të organizuar dhe, pak nga pak, ‘Babilonia’ e gjuhëve të të huajve në mënyrë sporadike mund të gjendet në vendpushimet shqiptare, ku vitin e kaluar, flitej vetëm shqip.
Shëngjini hapi sezonin me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike ‘Unum’, i pari i këtij lloji në Evropë që nga fillimi i pandemisë.
Charterat e parë, nga Ukraina dhe Bjellorusia, tashmë kanë filluar të mbërrijnë në Shqipëri në mënyrë që turistët e “preferuar”, polakët dhe çekët, të ndjekin të njëjtën tendencë.
Air Albania ka njoftuar fluturime me çmim të ulët nga Kukesi, duke filluar nga 10 Euro. Shqipëria, nga ana e saj, ka ndërmarrë hapa për t’iu përgjigjur sfidave të reja të paraqitura nga pandemia. Përveç vaksinimit të punëtorëve të industrisë së turizmit, autoritetet shqiptare kanë ngritur një task forcë të veçantë për të adresuar problemet pandemike në mënyrë që të mos ketë surpriza gjatë verës. Qëllimi është një sezon turistik “pa covid”. Nuk ka kritere specifike për të udhëtuar në Shqipëri, nuk kërkohet as karantina dhe as ndonjë dokument tjetër që vërteton se keni kaluar ose po kaloni Covid.
Por jo gjithçka varet nga Shqipëria!
Rregullat e vendeve të Bashkimit Evropian përcaktojnë ‘fatin’ e turizmit shqiptar këtë vit. Përsa i përket nivelit të infeksioneve, shumë vende evropiane kanë një situatë të ndryshme krahasuar me Shqipërinë, prandaj nuk i kanë lehtësuar ende masat.
Në shumicën e vendeve të BE-së, kthimi nga një udhëtim jashtë vendit kërkon domosdoshmërisht ndjekjen e një sërë procedurave, përfshirë disa ditë karantinë, e cila dekurajon ndjeshëm udhëtimet jashtë vendit, rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Vendimi i fundit i Bashkimit Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, i dha përgjigje një prej pikëpyetjeve më të mëdha që kanë pasur operatorët turistikë.
Ai u jep mundësinë turistëve nga Bashkimi Evropian të vijnë në Shqipëri. Një vendim i tillë do të ishte mirëpritur edhe më herët, për të krijuar mundësinë e rezervave dhe planifikimit. Pavarësisht nga lehtësimi i masave që vijnë nga BE, vendet anëtare mund të vendosin rregullat e tyre specifike në varësi të situatës pandemike që kanë. Por, në fillim të sezonit duket se do të jetë një sezon më i mirë se vitin e kaluar.
Vladimir Prenga është menaxher i një agjencie udhëtimesh në Shqipëri, e cila është në tregun e Turizmit për 12 vjet. Ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës.
Botuar me leje nga portali në internet Vicinity.