Policia bëri me dije të dielën pasdite se ka arrestuar shtetasit Hasan Ferracakun, 54 vjeç dhe nipin e tij, Elmilind Dylin, 17-vjeç, të cilët mbetën të plagosur nga konflikti me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Aktualisht ata gjenden të shtruar në Spitalin e Traumës, duke marr ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Abedin Ferracaku, 30 vjeç, Shyqyri Ferracaku 26 vjeç dhe Besar Ferracaku 20 vjeç. Tre vëllezërit, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, akuzohen për vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe armë mbajtje pa leje. Policia ka ndaluar tashmë babain e tyre, Hasan Ferracakun.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj,” thuhet në njoftimin e policisë.
Konflikti, ku ngelën të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, mendohet se ka ndodhur për shkak të ndarjes së zonave të rërës që hotelet shfrytëzojnë gjatë verës për shezlongje.