Kryeministri Rama e ka quajtur të gabuar veprimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu ndaj policëve në Lezhë dhe është shprehur se ai do të përballet me pasoja ligjore.
Kallëzimi i tre policëve të Policisë së Lezhës ndaj kryebashkiakut Pjerin Ndreu ka sjellë një përplasje në distancë mes këtij të fundit dhe kryeministrit Rama.
I pyetur mbi ngjarjen ku është përfshirë kryebashkiaku Ndreu, Rama tha se çështja do të zgjidhet në rrugë ligjore ndërsa mohoi që Partia Socialiste do ta mbrojë atë.
“Ka bërë shumë gabim dhe do përgjigjet për gabimin në rrugë ligjore”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se nuk do të ketë tolerim për asnjë zyrtar që ofendon punonjësit e policisë.
Tre policë kanë kallëzuar penalisht Pjerin Ndreun pasi pretendojnë se i ka penguar të ushtrojnë detyrën në kohën që ata kanë kërkuar mbylljen e një lokali në Shëngjin pasi ishte shkelur orari i lejuar në kuadër të masave anti-COVID.
Në një reagim mbi ngjarjen, Ndreu i ka quajtur policët ‘barkderra’ dhe i ka akuzuar se kanë shpërdorurar detyrën dhe kanë tejkaluar kompentencat.