Serbia ka konfirmuar dy rastet e para të personave të infektuar me variantin Delta të COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka lajmëruar se dy pacientët janë në gjendje të stabilizuar dhe nuk kanë qenë të vaksinuar kundër koronavirusit.
Varianti Delta, i njohur fillimisht si varianti indian, është më ngjitës se ai që shpërtheu në Mars të 2020, sipas OBSH.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha sot në Kuvend se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të prekur me këtë variant.
Serbia bëhet vendi i tretë në Ballkanin Perëndimor, pas Kroacisë dhe Kosovës, ku janë konfirmuar raste me variantin Delta.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka paralajmëruar se deri në fund të gushtit, 90% e rasteve të reja në BE do të jenë me variantin Delta.
Simptoma të këtij varianti janë dhimbje koke, dhimbje fyti dhe rrufë.