Gjermania do t’i dhurojë 3 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lajmi është bërë i ditur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel pas samitit me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ende nuk dihet se sa doza do të përfitojë Shqipëria nga ky donacion.
Kancelaja ka theksuar ndër të tjera nevojën për bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është një çështje që nuk është arritur ende, por, siç ka thënë pritet që shpejt të ndodhë një gjë e tillë.
Ky ishte samiti i fundit nën udhëheqjen e Merkel, iniciatoren e tij, e cila lë detyrën e kancelares këtë vjeshtë.
Procesi i Berlinit filloi në 2014 si një platformë për të siguruar integrim më të lartë brenda Ballkanit Perëndimor, pasi vetë zgjerimi i BE kishte ngecur. Qëllimi i tij ishte të mbante vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së, të sigurohej zbatimi relativ i reformave dhe të mbaheshin kontakte të nivelit të lartë midis Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të BE-së.
Në të vërtetë, në shtatë vitet e fundit, përparimi i vetëm drejt zgjerimit të BE-së nga vendet e rajonit ka qenë vendimi i Këshillit Evropian në mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, bisedimet nuk kanë filluar ende, fillimisht për shkak të kushteve të vendosura ndaj Shqipërisë dhe më pas, për shkak të vetos së Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut.