Komisioni i Apelimit do të shqyrtojë sot, 6 korrik ankimin e Komisionerit Publik për prokurorin Besim Hajdarmataj. Hajdarmataj u konfirmua në detyrë, më tetor 2019, nga KPK.
Siç kemi shkruar dhe në një artikull të mëparshëm KPK nuk konstatoi probleme në tre kriteret e rivlerësimit përkatësisht: pasurinë, aftësinë profesionale dhe figurën. Por, vendimi u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Ndaj në dhjetor 2019, ONM i rekomandoi Komisionerit Publik të ankimojë në Kolegjin e Apelimit vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
Besim Hajdarmataj gjatë punës së tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka nisur hetime ndaj politikanëve të lartë dhe figurave të krimit, përfshi disa të akuzuara për lidhje me qeverinë, si Saimir Tahiri, Emiljano Shullazi, kokaina e bananeve, grupi i Avdulajve, dosja e famshme 339 e zgjedhjeve në Durrës dhe ajo 184 e zgjedhjeve në Dibër—janë vetëm disa nga hetimet e nisura prej tij.
Për pasojë, ai është sulmuar direkt nga Kryeministri Rama dhe funksionarë të tjerë të lartë socialist duke e akuzuar si prokuror politik, veçanërisht për hapjen e hetimeve dhe kërkesën për arrestimin e Tahirit dhe për dosjen 339 të vjedhjes së votave në Durrës.