Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 4 vite burg autorin e një aksidenti në rrugën Elbasan – Tiranë, ku humbën jetën dy vajza dhe mbetën të plagosura dy të tjera.
Mbrëmjen e 13 shtatorit 2020, në dalje të tunelit në autostradën Elbasan – Tiranë, Behar Pema ndërsa voziste i dehur automjetin, përplasi nga mbrapa një veturë ku udhëtonin katër vajza dhe babai i dy prej tyre.
Dy prej vajzave humbën jetën. Sipas Report TV, prokuroria ka kërkuar dënim me 6 vite burg për autorin me argumentin se familjarët e viktimave dhe autorit kanë normalizuar marrëdhëniet.
Por nëna e njërës prej vajzave është shprehur pas shpalljes së vendimit të gjykatës, se ato nuk e kanë falur Behar Pemën.
Ajo pretendon se janë mashtruar pasi avokati i autorit që u kishte kërkuar të firmosnin një akt noterial ku thuhet se familjet nuk do të kishin hakmarrje mes tyre por ia lënë në dorë drejtësisë.
Ky akt sipas saj është përdorur në gjykatë sikur familjarët e kanë falur autorin duke sjellë më pas lehtësimin e rethanave të tij e për pasojë dënimin me 4 vite burg.
Sipas ligjit, kur shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor shkakton vdekje ose plagosje të rëndë të disa personave autori dënohet me 5 deri në 20 vite burg.