Qeveria e Kosovës ka vendosur të lëshojë bono thesari për diasporën. Ministria e Financave e Kosovës në një njoftim në faqen zyrtare njofton se “letra me vlerë ‘bono për diasporën’, ka për qëllim të orientimit të fondeve të diasporës në financime produktive që mundësojnë zhvillimin ekonomik të vendit”.
Të drejtën e blerjes së letrave me vlerë e ka çdo kosovar, i cili jeton në një vend të huaj dhe ka llogari bankare në bankat tregtare të Kosovës.
Shuma minimale për blerje është €10 mijë, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është €500 mijë.
Bonot do shiten nga 21 korrik 2021 deri më 18 gusht 2021. Në ankand do të emetohen bono me afat 3 dhe 5 vjeçar, në shumën €20 milionë.
Bankat e miratuara nga qeveria janë Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, Raiffeisen Bank.