Kryeministri Edi Rama, duke folur në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, në Athinë të mërkurën dekalroi se vendet e Ballkanit ishin pengje të nacionalizmave brenda BE-së.
Ai iu referua moshapjes së negociatave të Bllokut me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së Bullgarisë.
Sipas Ramës, Bullgaria thjesht ka mësuar të kopjojë vendet e BE-së që bllokojnë të tjerët për interesa të ngushta.
“Bullgaria mësoi se mund të përdorësh politikën lokale për të bllokuar të tjerët. S’doja ta përmendja, po nuk je i vetmi, por në Ballkan, kur kopjojmë shkojmë më tutje se sa origjinali. Ne jemi pengje të nacionalizmeve të BE,” u shpreh Rama.
Ai ka ironizuar BE-në duke thënë se Shqipëria është bërë disa herë gati për “dasmë”, pasi kishte marr garanci nga Komisioni Evropian.
“Pasi kur e thotë KE, ai është organizimi i duhur për ta thënë këtë. Ai ka një ekip njerëzisht që punojnë për të marrë fakte dhe të dhëna,” tha Rama.
Më tej, ai u tregua i ashpër duke shtuar se nuk do të kishte më përgatitje për një “dasmë të tretë” duke iu referuar përpjekjeve të radhës për hapjen e negociatave.
“Dasma e parë, nusja nuk erdhi, mire! Dasma e dytë, nusja e dytë nuk erdhi. S’ka më përgatitje për një dasmë të tretë, vafsh në djall. Janë dhe këto kushte të çuditshme, se thonë; pranverën tjetër, dhe bëhet në vjeshtë, dhe nusja nuk vjen,” deklaroi kryeministri.
Rama kërkoi një prani të shtuar të Greqisë në rajon, duke thënë se Ballkani ishte një gropë e hapur brenda BE-së dhe asnjëri nuk bënte dot pa tjetrin.
Sipas tij, vendet e rajonit duhet të shtyjnë përpara reformat dhe të bashkëpunojnë për hir të fëmijëve, jo sepse e kërkon një supërfuqi.