Komisioni Evropian ka prezantuar të mërkurën planin për të luftuar ndryshimin e klimës që synon të shtyjë BE drejt qëllimit për eleminuar emetimet e karbonit në atmosferë deri në 2050.
Propozimet janë një sërë ndryshimesh ligjore të cilat ende duhet të miratohen nga 27 vendet anëtare të bllokut dhe parlamenti i BE.
Ato përfshijnë plane për të rritur takën e karburantit të avionëve dhe të bëjë të pamundur shitjen e makinave me benzinë dhe naftë brenda 20 viteve.
Masat synojnë që BE të arrijë objektivin që deri në vitin 2030 të ulë me 55% emetimet e karbonit krahasuar me nivelet e vitit 1990.
Deri në vitin 2019, BE ka ulur emetimet e saj me 24% nga nivelet e vitit 1990.
Disa nga propozimet kryesore përfshijnë:
- Kufizime të rrepta të emetimeve për automjetet. Kjo masë që synon që deri në 2035 të mos shiten më automjete që punojnë me benzinë ose naftë.
- Një taksë mbi karburantin e avionëve dhe përjashtim 10 vite nga takasat për alternativat me emetim të ulët karboni.
- Një e ashtuquajtur tarifë kufiri karboni, e cila do të kërkojë që prodhuesit nga jashtë BE të paguajnë më shumë për importimin e materialeve si çeliku dhe betoni.
- Zgjerimin e përdorimit të energjisë së rinovueshme në vendet anëtare
- Një kërkesë për vendet që të rinovojnë më shpejt ndërtesat që vlerësohen me se nuk kanë efikasitet në ruajtjen e energjisë.
Rreth 30% e buxhetit afatgjatë të BE-së, 1.8 trilionë euro janë vënë në dispozicion për zbatimin e masave të lidhura me klimën
Synimet janë pjesë e një përpjekje globale për të trajtuar ndryshimin e klimës duke ulur ndotjen atmosferike, veçanërisht emetimet e dioksidit të karbonit.
Masat e reja mund të shkaktojnë rritjen e faturave të ngrohjes së shtëpive, si dhe koston e fluturimeve në vendet e BE. Megjithatë, qytetarëve do t’u vihet në dispozicion ndihmë financiare për të bërë izolimin dhe ndryshime të tjera afatgjata në banesat e tyre.
“Ne do të kërkojmë shumë nga qytetarët tanë. Ne gjithashtu do të kërkojmë shumë nga industritë tona, por ne e bëjmë këtë për një arsye të drejtë. Ne e bëjmë këtë për t’i dhënë njerëzimit një mundësi për të luftuar.”, tha shefi i politikës së BE për klimën, Frans Timmermans.
Kundërshtime priten nga disa kompani udhëheqëse në industri, si linjat ajrore dhe prodhuesit e automjeteve, si dhe nga vendet anëtare lindore që mbështeten shumë në qymyr për energji dhe ngrohje.