162 qytetarë të Tiranës kërkuan të hënën në SPAK që të dhënat personale të tyre të fshihen nga serverat e Partisë Socialiste dhe kjo e fundit të ndëshkohet me gjobë.
Në padinë e dorëzuar në SPAK thuhet se mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave personale të qytetarëve nga Partia Socialiste është e paligjshme.
Për pasojë ata kërkojnë fshirjen e këtyre të dhënave nga çdo pajisje elektronike e PS dhe strukturave të saj.
Qyetetarët pretendojnë se nga mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave ata janë cënuar dhe për këtë arsye kërkojnë dëmshpërblim nga PS.
162 qytetarët e Tiranës janë përfaqësuar në SPAK nga organizata GUXO.
Në muajn prill, Lapsi.al publikoi lajmin se Partia Socialiste ka një bazë me të dhënat e qytetarëve, të cilat i përdor për t’i përgjuar ata në lidhje me bindjet e tyre politike. Të dhënat pretendohej se ishin marrë nga portali qeveritar e-albania.
Më pas të dhënat e rreth 910 mijë qytetarëve të Tiranës rrodhën në internet nga burime të panjohura ku mund të shkarkoheshin nga të gjithë qytetarët. Ato përfshinin numrat e kartave të identitetit, numrat e telefonëve, vendin e punës si dhe preferencat politike të qytetarëve.
SPAK nisi një hetim dhe urdhëroi konfiskimin e serververit të Lapsi.al, vendim i cili u kundërshtua nga GJEDNJ.
Partia Socialiste dhe kryeministri Rama nuk e mohuan ekzistencën e një baze të tillë të dhënash. Ata pranuan se të dhënat e qytetarëve mblidheshin nga individë që në PS quhen patronazhistë.
Por Rama tha se baza e të dhënave e dalë nga Lapsi.al ishte e ndryshme me atë që ka PS dhe se të dhënat e publikuara nuk janë sensitive.
Opozita ka akuzuar qeverinë se ka përdorur të dhënat e qytetarëve nga e-albania për t’i përgjuar dhe deformuar vullnetin e tyre në zgjedhje.