Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca kundër koronavirusit janë efektive kundër varianteve Delta dhe Alfa, tregon një studim i ri, raporton REL.
Studimi, i publikuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, konfirmon gjetjet e Autoritetit të Shëndetit Publik në Britani, të publikuara në muajin maj, rreth efikasitetit të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Sipas studimit të ri, dy doza të vaksinës Pfizer janë 88 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta i koronavirusit, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa.
Dy doza të AstraZeneca-s, ndërkaq, janë 67% efektive kundër variantit Delta dhe 74.5% efektive kundër variantit Alfa. Sipas studimit, një dozë nuk ofron mbrojtje të madhe në asnjërin rast.
Varianti Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi, është më ngjitës se variantet e mëparshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Koronavirusi ka prekur mbi 192.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i prekur në botë, me mbi 34 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 610,000 viktima.