Rregullatori italian i barnave, AIFA miratoi të mërkurën përdorimin e vaksinës Covid-19 të kompanisë Moderna për grupmoshën 12-17 vjeç.
Vendimi vjen pasi vendi tashmë ka miratuar përdorimin e vaksinës Pfizer për adoleshentët.
Moderna njoftoi në maj se vaksina ishte gjetur e sigurt dhe efektive tek adoleshentët dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rekomandoi përdorimin e saj për personat mbi 12 vjeç.
Agjencia e barnave AIFA deklaroi se kishte mbështetur administrimin e vaksinës Spikevax për adoleshentë, duke pranuar kështu rekomandimin e EMA-s.
“Të dhënat që zotërojmë dëshmojnë mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës edhe për subjektet në këtë grupmoshë,” citohet agjensia Aifa në një raportim të Reuters.
Vendet e Bllokut po adoptojnë me shpejtësi masa për vaksinimin e personave nën 18 vjeç, në mënyrë që të përmbajnë përhapjen e variantit shumë infektiv, Delta.
Masat duken edhe më të nevojshme gjatë stinës së verës, kur adoleshentët janë grupmosha që lëviz më shumë dhe priret drejt aktiviteteve që grumbullojnë njerëz.