Ambasadori Lu: Basha dhe Rama të takohen ballë për ballë

Ambasadori Lu: Basha dhe Rama të takohen ballë për ballë

Amerika shprehet e zgjënjyer me përgjigjen e Zotit Basha ndaj propozimit hibrid dhe e akuzon atë se ka shkelur premtimin që ka bërë të dielën përpara Zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland. Ambasadori Amerikan Donald Lu i kërkon të dyja palëve të takohen e të mos dalin nga takimi deri sa të gjejnë një zgjidhje.

Më poshtë deklarata e plotë e Ambasadorit amerikan:

Të dashur miq shqiptarë,

Mendoj se ka një gjë për të cilën biem dakord.  Të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me udhëheqësit politikë të Shqipërisë.

Sot, Z. Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë Z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland.

Gjithashtu sot, Z. Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA.  Unë e refuzoj edhe këtë rol.  Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë.

Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme.  Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi.

Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë. 

Disa muaj më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë?   Krerët e krimit të organizuar? Gjyqtarët e korruptuar? Apo politikanët kriminelë?  Sot, përgjigja është e qartë.  Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë.

Të enjten, deputetët e kuvendit kanë mundësinë të tregojnë qëndresë për popullin e nderuar të Shqipërisë, që po e kërkon këtë reformë.  Ka ende kohë që Z. Basha dhe Z. Rama të gjejnë një kompromis.  Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojë këtë reformë.

Harku i historisë është i gjatë, por anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është nëse ky kuvend dhe udhëheqësit e partive politike, do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>