Prej 10 ditësh në qarkun e Vlorës janë aktive vatra zjarri të cilat kanë djegur qindra hektarë kullotë, shkurre dhe pemë.
Zonat më të prekura nga zjarret janë Tragjasi dhe kodrat e Gadishullit të Karaburunit ndërsa pylli i Llogarasë rrezikohet gjithashtu të përfshihet nga flakët.
Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Lorela Lezaj tha për Report TV se sipërfaqja e djegur mendohet të jetë rreth 500 hektarë dhe theksoi nevojën e ndërhyrjes urgjente nga ajri.
Pavarësisht se situata e flakëve vijon prej 10 ditësh, helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes për situatat e zjarreve dhe emergjencave nuk kanë ndërhyrë.
Nuk ka asnjë bilanc për situatën as nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Kreu i saj, Haki Çako njoftoi të premten se për shuarjen e zjarreve në të gjithë qarkun janë angazhuar vetëm zjarrëfikësit e Vlorës, forca nga njësia administrative, disa ushtarë dhe vullnetarë. Por edhe ato nuk janë të pajisur me mjetet e nevojshme për të ndërhyrë në terrene të thella. Në pamjet e aksionit të publikuara nga Çako, zjarrëfikësve dhe ushtarëve i mungojnë veshjet e duhura dhe fikjen e flakëve e bëjnë me lopata.
KLSH ndërkohë ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse ku do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.
IGJEUM njoftoi të shtunën se në dy ditët në vijim në 10 qarqe të vendit ka rrezik të lartë zjarresh nga temperaturat e larta.