Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi ligjin për të huajt. Në argumentet e tij të publikuara të martën, Meta shprehet se ligji ka për qëllim zëvendësimin e shqiptarëve që largohen nga vendi me punëtorë të huaj.
“Në realitet po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afat shkurtër, atë të plotësimi të atyre boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore që mund të ofrojnë shtetasit e vendeve të treta”, shkruan Meta.
Ai u shpreh se një masë e tillë ligjore duhet të diskutohet gjërësisht sepse “mund të krijohen pasoja shumë të rënda, riparimi i të cilave kapërcen disa fish mandatin e një Kuvendi apo një shumice qeverisëse”.
Qeveria ka hartuar ligjin e ri për të huaj me lehtësime për marrjen e leje qëndritmi për punëtorët sezonal nga vendet e treta.
Më 31 mars, Kryeministri Rama e inkurajoi pronarin e një fasonerie që të marrë punëtorë nga Bangladeshi, Afganistani dhe India.
“Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë”, u shpreh Rama.
Ai foli edhe për ligjin dhe i tha pronarit të fasonerisë: “Ne kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Nuk ka më fare nga ato procedurat e tmerrshme”.
Këto deklarata të Ramës nxitën reagimin e organizatave të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve.