Vatra e zjarrit më e nxehtë është në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Dy vatrat e tjera problematike janë në Dukat të Ri dhe në fshatin thirrë në Lezhë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi për median të dielën se:
Serioze është situata pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku janë përqendruar të gjitha forcat, për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve.
Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Është vënë nën kontroll vatra në zonën e quajtur Laku i Thive.
Puna vijon edhe në pjesën që ndodhet në fshatin Munellë-Domgjon, në Mirditë, ku ka situatë aktive.
Vatra të reja u raportuan në fshatin Patalej në Lezhë, një tjetër vatër në Gjallicë në Kukës me përmasa të vogla si dhe një vatër në fshatin Cakran të Fierit, e cila ishte shuar 10 ditë më parë nga FA dhe është riaktivizuar.
Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes dhe përmasave që po marrin flakët kanë shkuar në ndihmë edhe 40 efektivë të FA.
Një vatër e re është njoftuar në pyllin e fshatit Gjorgos në Fier, ku për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Rroskovecit.
Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodnonit në Durrës. Këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.