Një infermiere në Gjermani dyshohet se injektonte ujë të kripur në vend të vaksinës

Nga Exit News
Një infermiere në Gjermani dyshohet se injektonte ujë të kripur në vend të vaksinës

Një infermiere në veri të Gjermanisë dyshohet se u ka injektuar mbi 8 mijë personave ujë të kripur në vend të dozës së vaksinës kundër COVID-19.

Policia ka nisur hetimet ndaj infermieres në një qendër vaksinimi në Friesland, raporton BBC.

Autoritetet shëndetësore ndërkohë i kanë kërkuar personave që dyshohet se kanë marrë ujë të kripur që të paraqiten sërish për t’u vaksinuar.

Infermierja rezulton të ketë kritikuar në rrjetet sociale kufizimet e qeverisë që synojnë të ndalin përhapjen e koronavirusit sipas një inspektori të cituar nga e përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung.

Në muajin prill, infermierja e ka pranuar se u ka dhënë gjashtë personave ujë të kripur, ndërkohë që dozat e vaksinës Pfizer i kishte fshehur nën dysheme.

Nga hetimet është zbuluar se më shumë personave iu është injektuar ujë me kripë në vend të vaksinës Pfizer.

Transmetuesi rajonal gjerman, NDR, ka thënë se 8 557 personave u është kërkuar të përsërisin vaksinimin, dhe deri më tani rreth 3 600 janë konfirmuar që do të paraqiten.

Shumica e personave që dyshohet të jenë injektuar me ujë me kripë janë mbi moshën 70 vjeç.

Autoritetet ende nuk kanë dalë në konkluzione lidhur me motivin që ka nxitur infermieren të marrë këtë veprim dhe nuk kanë hedhur poshtë mundësinë e një motivi politik, ndonëse një gjë e tillë është mohuar nga avokatët e saj.

Periudha e pandemisë është shoqëruar me protesta kundër vaksinimit në Gjermani.

Kryesisht grupe të ekstremit të djathtë kanë refuzuar të dhënat zyrtare rreth COVID-19 dhe masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>