Tërmeti me magniturdë 7.2 Rihter në Haiti ka lënë 1297 të vdekur ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin sa më shpejtë të mbijetuarit nga rrënojat pasi vendi rrezikohet nga përmbytjet nga një stuhi tropikale që po afrohet, raporton Reuters.
Tërmeti i së shtunës gjithashtu la të paktën 2 800 njerëz të plagosur, me mijëra të tjerë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre të shkatërruara ose të dëmtuara. Të mbijetuarit në disa zona u detyruan të strehoheshin në rrugë ose fusha futbolli, ndërsa spitalet e mbingarkuara u përpoqën për të ndihmuar ata që u plagosën.
Megjithatë, shkatërrimi së shpejti mund të përkeqësohet me ardhjen e stuhisë e cilia parashikohet të arrijë në Haiti mbrëmjen e së hënës.
Tërmeti goditi pjesën jugperëndimore të kombit më të varfër të hemisferës veriore, pothuajse duke shkatërruar disa qytete dhe duke shkaktuar rrëshqitje toke që penguan përpjekjet e shpëtimit në një vend që tashmë po përballet me pandeminë e koronavirusit, vrasjen e presidentit dhe një valë dhune bandash.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan dhe tërmetet e tjera vazhduan të trondisnin zonën të dielën.
Haiti goditet shpesh nga tërmetet dhe uraganet. Një tërmet me magnitudë 5.9 Rihter në 2018 vrau më shumë se një duzinë njerëzish.
Tërmeti me magnitudë 7 Rihter i vitit 2010 goditi më afër Port-au-Prince dhe shkaktoi shkatërrim të gjerë. Qeveria e Haitit tha se numri i të vdekurve ishte më shumë se 300 000, ndërsa një raport i porositur nga qeveria amerikane e vendosi atë midis 46 000 dhe 85 000.