Luftëtarët talebanë hynë në Kabul të dielën pasi morën nën kontroll të gjitha qytetet kryesore të Afganistanit, në vetëm 10 ditë. Rikthimi i tyre në pushtet menjëherë pas largimit të forcave ushtarake të SHBA ishte diçka që presidenti Biden e kishte përjashtuar si mundësi në korrik.
I pyetur në 8 korrik nëse marrja e Afganistanit nga talebanët është e pashmangshme pas largimit të forcave të SHBA, presidenti Biden tha:
“Jo, nuk është. Sepse trupat afgane kanë një ushtri me 300 000 ushtarë të pajisur mirë dhe një forcë ajrore kundër diçkaje si 75 000 talebanë. Nuk është e pashmangshme.”
Më tej ai shtoi:
“Qeveria afgane dhe lidershipi duhet të bëhen bashkë. Ata qartësisht kanë kapacitetin për të mbështetur qeverinë në vend. Pyetja është: A do të krijojnë ata lloj kohezioni për ta bërë këtë? Nuk është çështje nëse ata kanë kapacitet. Ata i kanë kapacitet. Ata i kanë forcat. Ata i kanë pajisjet. Pyetja është: A do ta bëjnë?
Dhe unë dua të sqaroj atë që i kam bërë të qartë Ghanit: se ne nuk do të largohemi dhe të mos mbështesim aftësinë e tyre për të ruajtur këtë forcë. Ne gjithashtu do të punojmë për t’u siguruar që t’i ndihmojmë në lidhje me gjithçka, nga nevojat ushqimore dhe gjërat e tjera në rajon. Por nuk ka një përfundim se ata nuk mund të mposhtin talebanët.”
“Ky nuk është Saigon,” argumentoi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në CNN të dielën në mëngjes, duke hedhur poshtë krahasimet me rënien e Vietnamit të Jugut në 1975 dy vjet pasi trupat amerikane u tërhoqën. Por edhe kur ai fliste, helikopterët po nxitonin për të evakuuar personelin nga ambasada amerikane në Kabul.
Talebanët morën kryeqytetin ndërkohë që ushtria afgane nuk ishte askund për të bërë rezitencë.
Qetësia e ditës së dielë kur Kabuli ra nën kontrollin e talebanëve ndërsa presidenti Ghani u largua nga vendi u zëvendësua nga kaosi i ditës pasardhëse në aeroportin e kryeqytetit ku mijëra afganë u sulën për t’u larguar nga vendi i tyre.
Trupat amerikane, të cilët janë përgjegjës për aeroportin, qëlluan më herët në ajër për të shpërndarë turmën, tha një zyrtar amerikan.