Avioni i parë gjerman i shpëtimit evakuon vetëm 7 persona nga Kabuli

Nga Exit News
Avioni i parë gjerman i shpëtimit evakuon vetëm 7 persona nga Kabuli

Aeroplani i parë ushtarak gjerman që u ul në Kabul të hënën evakuoi vetëm shtatë persona për shkak të kaosit në aeroportin e kryeqytetit afgan tha qeveria të martën.

Gjermania, e cila kishte kontigjentin e dytë më të madh ushtarak në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara, dëshiron të transportojë mijëra shtetas me shtetësi të dyfishtë gjermano-afgane si dhe aktivistë të të drejtave, avokatë dhe njerëz që punuan me forcat e huaja.

Ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer tha se aeroplani transportues A400M bëri një ulje të vështirë të hënën në mbrëmje, për të sjellë ushtarë gjermanë për të siguruar evakuimin.

“Ne kemi një situatë shumë kaotike, të rrezikshme dhe komplekse në aeroport. Ne kishim shumë pak kohë, kështu që morëm në bord vetëm njerëzit që ishin në vend.” tha ajo për transmetuesin ARD.

Vetëm shtatë u evakuuan pasi avioni duhej të largohej shpejt dhe gjermanët e tjerë nuk mund të hynin në aeroport pa mbrojtje nga ushtarët gjermanë, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme, raporton Reuters.

Me 600 ushtarë që do të marrin pjesë në evakuim, Gjermania shpreson të jetë në gjendje të nxjerrë më shumë njerëz në orët e ardhshme.

Gjermania është duke pritur për lejen e SHBA për të fluturuar një avion të dytë nga Tashkenti.

Kramp-Karrenbauer shpresoi që aeroporti të mund të mbahej i hapur për disa ditë në mënyrë që sa më shumë njerëz të mund të evakuoheshin. “Ata nuk janë vetëm shtetas gjermanë, ata janë gjithashtu staf vendas, njerëz në rrezik. Ne gjithashtu do të mbështesim vendet e tjera,” shtoi ajo.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>