Presidenti i arratisur i Afganistanit Ashraf Ghani ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftoi ministria e jashtme e vendit.
“Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe mund të konfirmojë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mirëpritur Presidentin Ashraf Ghani dhe familjen e tij në vend për arsye humanitare,” tha një zëdhënës në një deklaratë.
Ghani u largua nga kryeqyteti Kabul të dielën pasdite ndërsa luftëtarët talebanë morën nën kontroll kryeqytetin.
Nga ana tjetër, ambasadori i Afganistanit në Taxhikistan, Zahir Aghbar ka akuzuar Ghanin se kishte marrë me vete 169 milionë dollarë kur u largua të dielën, raporton BBC.
Ai e quajti ikjen e Presidentit Ghani një “tradhti ndaj atdheut dhe kombit”.
Ambasadori ishte duke folur në një konferencë shtypi në ambasadën afgane në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanbe.
Ai njoftoi gjithashtu se ambasada kishte për qëllim të njihte ish -zëvendësin e Ghanit Amrullah Saleh si presidentin në detyrë të Afganistanit.