Kryeministri Rama mblodhi të premten deputetët e zgjedhur të PS për t’i dhënë porositë para nisjes së legjislaturës së re në shtator.
Rama përsëriti zotimet që bëri gjatë fushatës zgjedhore në prill, ngjitjen e Shqipërisë më lartë, luftë ndaj korrupsionit në administratë dhe gjuhë të re në raport me opozitën.
Kryeministri theksoi se PS nuk do të mbajë përgjegjësi për funksionarët e saj që mund të dalin me probleme me drejtësinë.
“Nëse dikush ekspozohet nga drejtësia faji është i tij por turpi është i joni nëse nuk vendosim vijën e kuqe duke bërë me dije menjëherë se kjo skuadër nuk do të jetë mburojë e askujt. Nuk mbajmë përgjegjësi pse një individ shkel flamurin e përgjegjësive. Por mbajmë përgjegjësi për përgjigjen duke u distancuar prej tij kur në mes hyn drejtësia”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se vetë PS dhe qeveria do të hetojë për rastet e korrupsionit dhe nuk do të presë SPAK për këtë. Për këtë Rama tha se do bëhet një ligj i ri përmes të cilit do të raportohet korrupsioni në platformën e vetëqeverisjes.
“Nuk do presim që spak të merret me cdo individ, do jemi hulumtues dhe mbledhës faktesh dhe provash, duke i mveshur një ligj të ri platformës së vetëqeverisjes. Do nxjerrim elektronikisht në pah të gjithat pikat ku ngecin shërbimet e shtetit për qytetarët dhe biznesin.”, deklaroi ai.