Përfaqësuesi i Lartë i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se statusi ligjor i Kosovës do të zgjidhet pas marrëveshjes me Serbinë.
Komenti ishte në përgjigje të pyetjes së deputetëve të Parlamentit Evropian mbi “mungesën e koherencës në përfaqësimin ligjor të Kosovës”.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor të Kosovës,” u shpreh Borrell.
Ai shtoi se autoritetet e Kosovës ishin më të interesuarat që vendi të mos përfaqësohej më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale.
“BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA [Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore] kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”, tha Borrell.
Ai solli si shembull marrëveshjen e vitit 2012 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që i lejoi të parës të merrte pjesë në nisma rajonale, me kusht që emërtimi të shoqërohej me një fusnotë.
Fusnota lexon: “Ky emërtim është pa paragjykim mbi pikëpamjet lidhur me statusin [e Kosovës] dhe në harmoni me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”.
Më herët, BE-ja, përmes të Dërguarit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë lënë të kuptohet se edhe liberalizimi i vizave të Kosovës me Bllokun do të varet nga ecuria e dialogut.