Kancelarja Anglea Merkel i kërkoi të martën votuesve gjermanë të mbështesin kandidatin e partisë së saj, Armin Laschet në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në shtator. Thirrja e Merkel vjen teksa sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për CDU-në ka pësuar rënien më të madhe në historinë e saj.
Sondazhi i Forsa për RTL/n-tv tregoi se 25% e elektoratit mbështet socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) ndërsa koalicioni CDU/CSU mbështetet nga 19% shifra më e ulët e regjistruar në sondazhe për ta, raporton Reuters.
Koalicioni CDU/CSU i drejtuar nga Merkel ka udhëhequr Gjermaninë në 16 vitet e fundit. Por kancelarja ka vendosur të tërhiqet tashmë nga politika dhe pas zgjedhjeve të 24 shtatorit Gjermania do të ketë një kancelar të ri.
Në fjalimin e saj në Bundestag, Merkel tha se qytetarët kanë dy zgjedhje, një qeveri që pranon të bashkëpunojë me të majtën ekstreme, duke iu referuar partisë Linke ose një qeveri e drejtuar nga Armin Laschet “që e çon vendin me moderim në të ardhme”.
Merkel kërkoi të vinte në dukje faktin se SPD nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me partinë Linke e cila në Gjermani konsiderohet e ekstremit të majtë.
Pasi humbën epërsinë e tyre në sondazhe, konservatorët po mbështeten gjithnjë e më shumë në paralajmërimet se SPD mund të sjellë një qeveri destabilizuese për shkak të partnerëve që do të kenë në koalicion.
Kandidati i SPD-së për kancelar, Olaf Scholz, është distancuar vazhdimisht nga Linke, duke e quajtur partinë të papërshtatshme për qeverinë për sa kohë që ajo nuk angazhohet qartë për aleancën ushtarake të NATO -s, partneritetin transatlantik me Shtetet e Bashkuara dhe financat solide publike.
Merkel tha se Laschet do të drejtonte një qeveri që qëndron për “stabilitet, besueshmëri, moderim dhe kjo është pikërisht ajo që i duhet Gjermanisë”.
Por premtimi i Laschet për “qëndrueshmëri” nuk po arrin të jehojë me votuesit e shqetësuar për ndryshimet klimatike, emigracionin dhe pandeminë COVID-19.
Duke folur pas Merkel, Scholz i tha Bundestagut: “Duhet një fillim i ri, dhe unë shpresoj dhe jam i sigurt se do të ketë sukses.”