Zyrtare dhe përfundimtare: Dakordësi e plotë për reformën në drejtësi

Zyrtare dhe përfundimtare: Dakordësi e plotë për reformën në drejtësi

Kryeministri Rama ka konfirmuar të mërkurën mbasdite se Partia Socialiste është dakord me draftin më të fundit të reformës në drejtësi, bazuar mbi versionin hibrid të Ndihmës Sekretares së Shtetit Viktoria Nuland dhe sqarimeve të mëtejshme të Komisionerit të BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn.

Disa orë më parë Kryetari i PD-së Lulzim Basha kishte deklaruar votën pro të Partisë Demokratike për këtë version.

Duke qenë se LSI është shprehur se do të mbështesë çdo konsensus PS-PD, mund të supozohet se LSI do të votojë, gjithashtu, pro draftit.

Kështu, me shumë gjasa, ndryshimet kushtetuese —pjesë e reformës në drejtësi—do të votohen në mënyrë unanime pas diskutimit plenar që do të fillojë të enjten paradite.

Më herët gjatë ditës, Komisioneri Hahn u kishte dërguar një letër zotërinjve Rama, Meta dhe Basha ku sqaronte qëndrimin zyrtar të komunitetit ndërkombëtar për mosdakordësinë e fundit mes palëve.

Ai favorizoi qëndrimin e PS-së për përfshirjen e përcaktimeve rreth misionit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në Kushtetutë, gjë që kundërshtohej nga PD; dhe favorizoi qëndrimin e PD-së që ONM të ketë vetëm rol rekomandues bazuar në arsyetim të mbështetur mbi fakte në procesin e vetingut, gjë që kundërshtohej nga PS e cila kërkonte rol vendim-marrës, të paktën, në përzgjedhjen e atyre që do të bënin vetingun e të tjerëve.

Si Zoti Basha edhe Zoti Rama u munduan, në deklaratat e tyre publike, ta paraqisnin qëndrimin e BE-së si fitore respektive—Zoti Basha si triumf  i respektimit të të drejtave të njeriut dhe sovranitetit të vendit, kurse Zoti Rama si asgjë ndryshe nga sa kishte kërkuar PS që në fillim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>