Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka paralajmëruar se mund të dalë nga koalicioni qeverisës nëse ministri i Brendshëm, Sergej Sekulloviç shkarkohet.
Abazoviç tha se nuk do të lejojë që policia malazeze të menaxhohet nga Serbia duke iu referuar kështu kërkesave që i janë bërë kryeministrit për të shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë nga partia pro-serbe pas trazirave në Cetinjë.
“I kam thënë disa herë kryeministrit dhe kolegëve të mi në Qeveri dhe e përsëris: nëse kalohet vija e kuqe – dhe me ngjarjet e fundit, mendoj se e kanë kaluar atë vijë… një hap tjetër përpara dhe nuk është e pamundur që të mos kemi një ministër të ri të Brendshëm, por nuk është e pamundur që të mos kemi [edhe] një kryeministër të ri. Unë do ta rrëzoja Qeverinë”, tha Abazoviç, raporton REL.
Abazoviç është drejtues i Lëvizjes Qytetare URA, partia më e vogël e koalicionit qeverisës në Mal të Zi pas Frontit Demokratik pro-serb dhe Demokratëve.
Largimi i tij do të bënte që koalicioni të humbte shumicën në Kuvend dhe në rast të tillë qeveria mund të mos marri më votëbesimin duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohëshme.
Partia më e madhe e koalicionit qeverisës, Fronti Demokratik, e cila ka lidhje të ngushta me Beogradin, i ka kërkuar kryeministrit Krivokapiç të shkarkojë ministrin e Brendshëm Sekulloviç dhe drejtorin e Policisë së Malit të Zi, Zoran Bërgjanin.
Sipas tyre, Bërgjanin dhe Sekulloviç kanë kundërshtuar përdorimin e forcës policore për të thyer bllokadat dhe protestat, në ditën e shugurimit të mitropolitit të Kishës Ortodoske Serbe në Mal të Zi, Joanikije II, më 5 shtator.
Protestuesit malazezë kanë bllokuar hyrjet në qytetin e Cetinës, për të penguar ceremoninë dhe detyruan organizatorët të transportonin Joanikijen në Manastirin e Cetinës me helikopter ushtarak.
Megjithatë protestat u shpërndanë nga forca të shumta policie ndërsa mbi 50 persona mbetën të plagosur gjatë përleshjeve.