Papa Françesku bëri thirrje kundër ringjalljes së antisemitizmit mbylljes ndaj emigrantëve gjatë një vizite të shkurtër në Hungari të dielën.
Papa mbërriti në Hungari herët të dielën, për një vizitë të shkurtër para se të udhëtojë drejt Sllovakisë.
Papa do të qëndrojë vetëm shtatë orë në Budapest. Pas mbërritjes ai zhvilloi një takim privat me Orban dhe Presidentin Janos.
Vatikani tha se takimi zgjati rreth 40 minuta. Orban postoi një fotografi në faqen e tij në Facebook ku ai shtrëngonte dorën e papës duke qëndruar para flamujve hungarezë dhe të Vatikanit, me komentin: “I kërkova Papës Françesku të mos lejonte që Hungaria e krishterë të vdiste”. Orban shpesh ka thënë se identiteti i krishterë i Hungarisë po kërcënohej nga emigracioni mysliman.
Francesku shpesh ka denoncuar atë që ai e sheh si një ringjallje të lëvizjeve nacionaliste dhe populiste, ka bërë thirrje për unitet evropian dhe ka kritikuar vendet që përpiqen të zgjidhin krizën e migrimit me veprime të njëanshme ose izoluese.
Në të kundërt, Orban tha në Forumin Strategjik Bled në Slloveni javën e kaluar, se zgjidhja e vetme për migracionin ishte që Bashkimi Evropian “t’i kthejë të gjitha të drejtat shtetit-komb”.
Papa ka bërë thirrje që emigrantët të mirëpriten dhe të integrohen për të trajtuar atë që ai e ka quajtur “dimri demografik” i Evropës. Orban tha në Slloveni se emigrantët e sotëm “janë të gjithë myslimanë” dhe se vetëm “politika tradicionale e familjes së krishterë mund të na ndihmojë nga ajo krizë demografike”.
Pas takimit me Orban, Papa zhvilloi një takim me udhëheqësit e feve të tjera të krishtera dhe hebrenjtë.
“Unë mendoj për kërcënimin e antisemitizmit që ende fshihet në Evropë dhe gjetkë…Ky është një fitil që nuk duhet të lejohet të digjet. Dhe mënyra më e mirë për ta ndaluar atë është të punojmë së bashku, pozitivisht dhe të promovojmë vëllazërinë,” tha ai.
Më shumë se gjysmë milioni hebrenj hungarezë u vranë gjatë holokaustit, i cili shkatërroi një kulturë dikur të gjallë në të gjithë vendin.
Orban, në pushtet që nga viti 2010, kishte ngritur shqetësime në komunitetin hebre të Hungarisë kur disa vjet më parë ai përdori një imazh të financierit amerikan George Soros, i cili është hebre, në një fushatë reklamash kundër emigracionit.
Në maj, Orban u tha gazetarëve se akuzat kundër antisemitizmit kundër tij ishin “qesharake”, duke shtuar se Hungaria ishte një “vend më shumë se i drejtë dhe korrekt në atë drejtim”.
Të dielën pasdite Papa do të shkojë në Sllovaki, ku do të qëndrojë shumë më gjatë, duke vizituar katër qytete para se të kthehet në Romë të mërkurën.