Komisioni Evropian inaguroi të enjten një agjensi për vlerësimin e krizave shëndetësore me një buxhet të dedikuar prej 30 miliardë eurosh.
Autoriteti i ri i Gatishmërisë dhe Reagimit ndaj Urgjencave Shëndetësore (HERA) do të vlerësojë kërcënimet e mundshme ndaj shëndetit, do të promovojë kërkimin, do të sigurojë disponueshmërinë e prodhimit të barnave dhe krijimin e stokut të tyre.
Në rast të një krize të re shëndetësore HERA aktivizon financimin urgjent dhe ndihmon në koordinimin e monitorimit, prokurimit dhe blerjes së pajisjeve ose trajtimeve mjekësore.
Autoriteti mendohet se u projektua për të shmangur përsëritjen e skenarit të përgjigjes ndaj kroonavirusit, ku përgjigja ishte marrja e masave ad hoc nga vendet individuale të BE-së.
Trupi i ri do të jetë plotësues i agjencive të tjera shëndetësore të BE-së – Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Agjencia pritet të jetë plotësisht operative në fund të vitit 2022.