Minatori Muharrem Plaku vazhdon të mbetet i bllokuar në galeritë e minierës së kromit ndërsa Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera ka njoftuar pas më shumë se 48 orësh për përpjekjet për nxjerrjen e tij.
Autoriteti njofton se situata paraqitet shumë e vështirë pasi nuk dihet vendodhja e saktë e minatorit dhe vazhdon të bjerë material duke bllokuar rrugën.
Muharrem Plaku me profesion teknik miniere, u bllokua të mërkurën pas rënies së një masivi minerali në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”.
Vetëm pas 3 ditësh është dhënë informacion për operacionin për nxjerrjen e trupit të tij nga galeria.
Autoriteti për sigurinë në miniera duket se justifikon kompaninë “Kaduretex Sh.p.k” në njoftimin e lëshuar pasi thotë se Plaku “ka hyrë në zonën e shfrytëzimit, në një hapësirë të vjetër”.
Nuk thuhet nëse ishin garantuar kushtet e sigurisë në këtë hapsirë të vjetër në mënyrë që minatorët të punonin.
Sindikata e Minatorëve të Bulqizës i ka kërkuar qeverisë të marrin masa për kushtet e sigurisë në punë të minatorëve.
Prej fillimit të vitit 2021, 8 minatorë janë plagosur gjithsej në galeritë e minierave.