Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar bashkëpunimin global për “një dekadë vendimtare për botën tonë”.
Thirrjet e tij për unitet vijnë në mes të tensioneve me aleatët për tërheqjen e SHBA-ve nga Afganistani dhe përplasjes diplomatike me Francën mbi një marrëveshje nëndetësesh.
SHBA gjithashtu njoftoi se do të dyfishonte financimin për të arritur zotimit për klimën deri në vitin 2024.
Duke ripohuar mbështetjen e tij për demokracinë dhe diplomacinë, zoti Biden tha: “Ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë.”
Asambleja e 76-të e Përgjithshme në New York City zhvillohet në sfondin e një krize klimatike dhe pandemie, të cilat kanë thelluar ndarjet globale.
Biden shtyu për bashkëpunim në këto fronte, duke thënë: “Pavarësisht nëse zgjedhim të luftojmë për të ardhmen tonë të përbashkët apo jo, do të ketë jehonë për brezat e ardhshëm. Ta themi thjesht, ne qëndrojmë, sipas mendimit tim, në një pikë përthyese në histori.”
Biden të martën theksoi se SHBA “nuk po kërkon një Luftë të Ftohtë të re ose një botë të ndarë në blloqe të ngurtë”.
SHBA, tha ai, “është e gatshme të punojë me çdo komb që merr përsipër zgjidhje paqësore të sfidave të përbashkëta, edhe nëse kemi mosmarrëveshje në fusha të tjera”.
Vërejtja duket se ishte një përgjigje ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili këtë fundjavë paralajmëroi se SHBA dhe Kina po shkonin drejt “një lufte të ftohtë që do të ishte ndryshe nga ajo e kaluar, dhe ndoshta më e rrezikshme dhe më e vështirë për t’u menaxhuar”.
Presidenti gjithashtu foli për tërheqjen nga Afganistani, e cila është kritikuar nga aleatët brenda dhe jashtë vendit, duke thënë se SHBA po i jepte fund një “periudhe lufte të pamëshirshme” për një “epokë të re të diplomacisë së pamëshirshme”.
Biden ofroi një premtim kyç edhe për financat e klimës, duke thënë se SHBA do të rrisë fondet për vendet në zhvillim në 11.4 miliardë dollarë deri në vitin 2024. Kjo do të thotë se SHBA do të ofrojë pak më shumë se gjysmën e zotimit të Bashkimit Evropian për të ndihmuar kombet më të varfra përballuar ndryshimet klimatike.
Bota e zhvilluar ishte zotuar se do t’u siguronte këtyre vendeve 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020, por kjo ende nuk është arritur.
Në fund të fjalimit të tij të parë, Biden premtoi se SHBA do të udhëheqë “me aleatët tanë”.
“Ne do të udhëheqim në të gjitha sfidat më të mëdha të kohës sonë, nga Covid në klimë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut, por ne nuk do ta kalojmë atë vetëm,” tha ai.