Valter Dragu, një bari shqiptar dhe gruaja e tij Melinda, janë përzgjedhur si një nga fituesit e çmimeve më prestigjioze të djathit në botë, Çmimi ‘Slow Cheese 2021’.
Djathi i quajtur Mishavin prodhohet në rajonin e largët të Kelmendit, në Shqipërinë veriore.
Pjesa më e madhe e popullsisë së rajonit është larguar, duke emigruar ose jashtë vendit ose në qytete të mëdha. Izolimi ekstrem, dimrat e ashpër, mungesa e infrastukturës dhe mundësive të punës e kanë thelluar këtë eksod. Kjo bën që shumë komunitete malore të jenë në rrezik të zhduken së bashku me traditat e tyre.
Djathi Mishavin është i famshëm për kompleksitetin e tij. Ai prodhohet vetëm gjatë verës dhe ruhet për konsum në dimër.
Djathi krijohet duke përzier masa specifike të qumështit të lopës, deles dhe dhisë. Pastaj pritet në shirita të trashë, mbështillet në leckë dhe shtypet butësisht për të lëshuar hirrën. Pastaj djathi pritet në copa të mëdha dhe thahet jashtë por larg diellit për dhjetë ditë. Pasi të përfundojë, shkërmoqet me dorë, kriposet dhe lihet në një enë druri me vrima në pjesën e poshtme, e cila kullon hirrën e tepërt.
Pas dy muajsh, djathi është gati. Mishavin është i bardhë me një nuancë të lehtë të ngjyrës së kashtës dhe një strukturë kokrrizore.
Dragu është një bari i ri i cili ka vendosur të vazhdojë të jetojë në male dhe të ruajë traditat gastronomike të të parëve të tij. Ai punon me gruan e tij Melinda, dhe ndryshe nga pjesa tjetër e familjes së tyre që emigruan në SHBA, ata vendosën të krijojnë një të ardhme për rajonin.
‘Slow Cheese’ është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm në botë i dedikuar djathit të qumështit të papërpunuar dhe produkteve të qumështit.