Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj depozitoi të enjten në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
“Sapo kemi dorëzuar kërkesën për ngritjen një komisioni hetimor për masakrën zgjedhore të 25 prillit, bazuar në Kushtetutë. Kemi dorëzuar kërkesë jo vetëm si nevojë e aksionit politik, por edhe si nevojë ulëritëse që demokracia kërkon,” u shpreh Alibej para gazetarëve.
Alibeja deklaroi se komisioni duhet të hetojë abuzimet e qeverisë me fondet publike në perjudhën para zgjedhore, me anë të të cilave qeveria ka blerë votën e shqiptarëve, ndalimin e votës së emigrantëve, punësimet e përkohëshme në administratë, legalizimet, ndihma ekonomike dhe pagesat për rindërtimin.
Ai shtoi se do të hetohej edhe “‘qershia mbi tortë’, spiunazhi modern, 910 mijë shqiptarë të spiunuar prej procesit famëkeq të patronazhistëve”.
PD-ja e njoftoi aksionin vëtëm pak ditë më parë në mbledhjen e grupit nga Basha, ku përveç zgjedhjeve u vendos që të kërkohet ngritje komisioni hetimor edhe për çështjen Becchetti dhe incineratorët.