Pak ditë më parë, dy persona u arrestuan në Shkodër pasi “shisnin” radhën për të bërë kontrollin teknik (kolaudimin) e makinave.
Mungesa e kapaciteteve dhe e infrastrukturës së nevojshme shkakton radhë të gjata në pikat e kontrollit. Sipas dëshmive të ndryshme në media të qytetarëve ka raste kur pritja shkon disa ditë. Në këto kushte, ka lindur “tregu” i mbajtjes për t’u shitur i radhës, nga persona të caktuar.
Pikërisht, dy nga këta “tregtarë” u arrestuan nga policia e Shkodrës, me akuzën e “korrupsionit pasiv në sektorin privat”.
Problemi i krijuar me kontrollin teknik të makinave është një problem më i thellë dhe nuk mund të zgjidhet dhe as të mbyllet me arrestime të këtij lloji, të cilat nuk prekin shkakun e problemit.
Që prej vitit 2009, kontrolli teknik i makinave bëhet nga kompania Societe Generale de Surveillance (SGS), e cila ka një koncesion 10 vjeçar që i ka dhënë asaj monopolin e kontrollit teknik në të gjithë vendin.
Por sipas kontratës, SGS duhet të investonte në rinovimin e 14 qendrave ekzistuese dhe të hapte 12 qendra të reja të kontrolli, si dhe të investonte për përmirësimin teknologji të shërbimit.
Por SGS tashmë në vitin e 7 të koncesionit nuk ka plotësuar këto detyrime. Nga 12 pika të reja kompania ka hapur vetëm një, 20 km larg Tiranës, ku është dhe fluksi më i madh i automjeteve.
Hapja e kësaj qendre u trumbetua nga kompania si një investim gjigant, por ajo nuk arrin të përballojë fluksin e madh: qytetarët ankohen vazhdimisht për radhë të gjata, korrupsion e shërbim të dobët.
Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka raportuar disa herë rritje të pajustifikuar të çmimit për kontrollin e makinave nga ana e koncesionarit.
Shërbimi i dobët dhe i kushtueshëm i SGS-së është përmendur vazhdimisht dhe në raportet “Doing Business” për Shqipërinë.
Përballë kësaj situate qeveria nuk ka marrë asnjë masë për respektimin e kontratës dhe detyrimin e koncesionarit për të plotësuar standartet minimale të shërbimit.
Për të qetësuar pakënaqësinë e publikut, ajo mjaftohet me aksione propagndistike si arrestimet në Shkodër.
Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar qeverisë mbikëqyrjen e kompanisë koncesionare dhe gjetjen e një mënyrë për të liberalizuar tregun.
Ministria e Transportit nuk i është përgjigjur asnjëherë kërkesave të AK-së dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanisë.
Ndërsa indiferenca e qeverisë Berisha, e cila i dha koncesionin SGS-së mund të kuptohet, heshtja e Qeverisë Rama është më pak e shpjegueshme, aq më tepër kur në opozitë, përfaqësuesit e PS-së e cilësuan kontratë si një marrëveshje korruptive të qeverisë Berisha.
Deputeti Erjon Braçe, në vitin 2013, i kërkoi disa herë ministrit të atëhershëm Sokol Olldashi përgjigje “për rritjen e tarifës së shërbimit të kolaudimit të automjeteve me të paktën 10 për qind, pa arsye e në kushtet e një shërbimi mizerabël, por monopol.”
Sërish në 2016-ën, deputeti Braçe tashmë kreu i Komisioni Ekonomisë në Kuvend, deklaroi: “Liberalizimi i shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, ky po që është prioritet!! Pse pengohet? U bë gabim i tmerrshëm kur u lidh ajo kontratë, po bëhet gabim tani që ruhet monopoli me një shërbim që çdo periudhë piku, vit për vit, prodhon fjalinë që nuk vlen: kompania të marrë masa.”
Deri më sot, as kompania dhe as qeveria nuk kanë marrë asnjë masë. Qëndrimi i qeverisë mund të shpjegohet vetëm për shkak të korrupsionit. Me shumë gjasa, dy qytetarët e arrestuar në Shkodër janë thjesht mbulesa për të lejuar korrupsionin e madh të drejtuesve të qeverisë me këtë koncesion.