Ilir Meta, kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Çim Peka.
Deklarata kryesore të Zotit Meta ishin:
Për koalicionin PS-LSI
- [Për koalicionin e 2013-ës] nuk jam penduar. Unë jam nga ata që reflektojnë dhe kanë gjithnjë kërkesa për t’u vetëpërmirësuar.
- [Vendimet për zgjedhjet e 2017-ës] do të jenë vendime të forumeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për më tepër që ne kemi edhe zgjedhjet aktualisht në vjeshtë ku rinovohet mandati i gjithë të zgjedhurve të LSI-së, përfshirë edhe Kryetarin e forumet kombëtare.
- Natyrisht që ka mjaft probleme dhe sfida që duhen përballuar më mirë. Unë e theksoj gjithnjë që ka vend për reflektim, për vetë përmirësim edhe për bashkëpunim edhe me vetë opozitën.
- LSI është krijuar si parti opozitare. Është gabim i madh të përjetohet kalimi në opozitë apo qenia në opozitë, si një fatkeqësi, përkundrazi vendi ka nevojë për një opozitë, aktualisht, më të fuqishme, më të përgjegjshme, më racionale, më bashkëpunuese. Këtë nuk e kam si një akuze apo kritikë për Partinë Demokratike, por sigurisht vendi ka nevojë për një opozitë tjetër nga ato që ka parë deri tani.
Për reformën në drejtësi
- Nëse reforma nuk do të ishte miratuar me konsensus, nuk do të isha më sot Kryetar i Kuvendit.
- Është e rëndësishme të bashkëpunojmë për Vetting-un dhe për ligjet e tjera që e bëjnë të zbatueshme sa më shpejt reformën në drejtësi
Për zgjedhjet e 2017-ës
- Unë besoj se është tërësisht e mundur për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
- Është e rëndësishme që Komisioni për Reformën Zgjedhore të fillojë menjëherë nga puna.
- Ne kemi ftuar OSBE-ODIHR-in të asistojë në këtë proces.