Shqipëria ka numrin më të madh të personave të shfrytëzuar si skllevër të punës dhe të seksit në Mbretërinë e Bashkuar – sipas një raporti të publikuar nga Salvation Army, një organizatë bamirëse, ndër më të rëndësishmet në botë në ofrimin e kujdesit social për viktimat e trafikimit dhe skllavërisë moderne.
Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e para me 269 viktima të skllavërisë moderne, të cilët shfrytëzohen seksualisht, punojnë në punë të rënda dhe shërbejnë në të zezë nëpër banesa. Pas vendit tonë renditet Polonia me 148 persona dhe Nigeria me 136 persona.
“Për shumë vite, Nigeria ka qënë vendi me numrin më të madh të njerëzve të trafikuar në Europë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por gjatë dy viteve të fundit vendin e parë e ka zënë Shqipëria,” – shkruhet në raport.
Sipas të dhënave të raporti rreth 44 për qind e viktimave shfrytëzohen seksualisht, 42 për qind shfrytëzohen për punë të rënda, dhe 13 për qind punojnë si shërbyes në të zezë nëpër banesa.
Organizata bamirëse e cila ofron strehim, këshillim ligjorë dhe këshillim psikologjik ka ndihmuar më shumë se 1 800 viktima të trafikimit dhe të skllavërisë moderne për periudhën 2015 – 2016, në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas një organizate bamirëse Australiane, në botë ka rreth 46 milionë njerëz të detyruar në skllavëri. Numri më i madh i tyre vjen nga India dhe Nigeria.