Kryetari i LSI-së Ilir Meta ishte i ftuar në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla, të enjten në mbrëmje.
Më poshtë disa nga pohimet kryesore të Zotit Meta, gjatë bisedës me gazetarin Balla:
Për qeverisjen e vendit:
- Në tërësinë e vet, vendi ka një përmirësim të situatës ekonomike, sidomos makroekonomike. Në tërësinë e vet, ky koalicion ka funksionuar mirë.
Për vazhdimin e koalicionit me PS në zgjedhjet e 2017:
- A do të vijojë ky bashkëpunim? Përse jo?! Por ky nuk është një vendim. Duhet të mos kemi më problemin e leximit të një marrëveshje ndryshe.
Për kandidimin në postin e Presidentit:
- Do të kandidoj për kryetar të LSI dhe besoj që do të fitoj dhe do të jem në krye të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme. E rëndësishme është që Presidenti të jetë mbi palët dhe të bashkojë palët, sepse me Kushtetutën e re është më i dobët, por që duhet fuqizuar me një figurë të besueshme dhe të rrisë bashkëpunimin mes palëve.
Për marrëdhënien me Ambasadorin amerikan Lu:
- Ne kemi raporte shumë më të mira se sa thoni ju. Në raportet tona mund të them që kemi një mirëkuptim të plotë për të gjitha çështjet.
- LSI i ka bërë të gjitha në kohë dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe do të jetë një parti model.
Për numrin e deputetëve për të kërkuar mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit:
- Unë dua t’ju garantoj të gjithëve se Ilir Metës nuk i ka shkuar mendja të bëjë 71 vota. Pse duhet ta bëja që të heq Edi Ramën nga kryeministër? Nëse do të gjykoja se do të ishte një situatë ekstreme, do të dilja para qytetarëve dhe do të thoja se nuk do të qëndroja më në këtë qeveri.
- Nuk bëj unë lojëra me deputetët, sepse nuk i sjellim progres Shqipërisë.
Për mundësinë e kapjes së drejtësisë nga reforma në drejtësi:
- LSI për ndryshimin e sistemit aktual të drejtësisë, ishte shumë pranë qëndrimit të PS-së, sepse ndryshimi është radikal, por sa i përket rëndësisë që të ketë garanci për moskapjen e drejtësisë, LSI-ja ishte më pranë pozicionit të PD-së.
Për zgjedhjet në Dibër:
- Kjo nuk ka asnjë pikë rëndësie. Është një zgjedhje lokale dhe ne nuk rrimë dot pa i dhënë rëndësinë që nuk meritojnë gjera të caktuara.
Për Kushtetutën e re:
- Kushtetuta që kemi sot nuk është më e mirë se sa ajo që kishim, por ajo që kishim dështoi të prodhonte gjëra ligjore për shkak të ndërhyrjeve që ushtruam me vend e pa vend.