Partia Demokratike ka ankimuar para pak ditësh në Gjykatën Kushtetuese ligjin e vetingut duke kërkuar shpalljen e tij antikushtetues.
Në mënyrë që të ketë kohë për shqyrtimin e tij, Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e ligjit.
Ndërkohë, ajo vendosi t’i kërkojë Komisionit të Venecias një opinion të paanshëm këshillues mbi “përputhshmërinë e ligjit me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”
Çështja që duhet të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese nuk duket aq e ndërlikuar, por me sa duket ajo po kërkon të largojë përgjegjshmërinë nga vetja dhe çdo vendim të saj ta justifikojë me këshillimin e një pale të tretë, pra në këtë rast të Komisionit të Venecias.
Në fakt, është justifikim sipërfaqësor pasi ligjërisht opinioni i Venecias nuk ndryshon asgjë: Gjykata Kushtetuese përsëri do të vendosë vetë, madje pa pasur detyrimin ta marrë parasysh mendimin e Venecias.
Komisioni i Venecias pak gjasa ka të marrë përsipër të gjykojë kushtetuetshmërinë e ligjit—nuk e bën, zakonisht, për asnjë ligj të veçantë të asnjë vendi. Komisioni përgjithësisht jep mendime mbështetur në ligjet ndërkombëtare dhe në vlerësime krahasuese ligjore.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese do të gjendet shpejt në të njëjtën situatë që është sot: Venecia do t’i kërkojë ta gjykojë vetë kushtetushmërinë duke i dhënë orientime të përgjithshme.
Një tjetër çështje që është ngritur në këtë kuadër, është ajo e konfliktit të interesit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët duhet të gjykojnë një ligj duke qenë vetë subjekt i këtij ligji.
Pak dyshim ka nëse kjo është realisht një situatë e konfliktit të interesit. Burime të ndryshme kanë bërë me dije se në kërkesën formale për Komisionin e Venecias, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar edhe mendimin e saj për këtë situatë potenciale të konfliktit të interesit.
Nëse ky fakt është i vërtetë, vetë kërkesa duket e tepërt pasi Komisioni i Venecias i ka dhënë një herë më parë opinion asaj për një çështje të ngjashme në mos identike, në vitin 2009 në rastin e konfliktit të interesit në lidhje me ligjin e lustracionit që prekte vetë gjyqtarët e saj (të paktën disa prej tyre).
Sugjerimet e Komisionit të Venecias mund të përmblidhen si më poshtë:
- Gjykata Kushtetuese duhet të balancojë vetë mes nevojës për paanshmëri dhe nevojës për kontrollin e akteve parlamentare të Kuvendit. Pra, ajo nuk mund t’i shmanget detyrës së saj për të kontrolluar kushtetushmërinë e akteve ligjore automatikisht duke thënë se nuk mund ta shqyrtoj për shkak të konfliktit të interesit;
- Kuvendi mund të vendosë ta ndryshojë ligjin apo edhe Kushtetutën, çfarë do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga konflikti i interesit ose do të arrinte një konsensus të ri të pranuar si të kushtetushëm nga të gjithë;
- Në mungesë të mundësive të mësipërme, Gjykata Kushtetuese duhet të besojë se gjyqtarët e saj do të vendosin në interes të publikut dhe nuk do ta trajtojnë çështjen ngushtësisht në interes vetjak.
Thelbi i mendimit të Venecias është se ata që janë gjyqtarët më të lartë në vend, mbrojtësit dhe garantuesit e Kushtetutës, duhet të jenë në gjendje gjendje të gjykojnë në favor të interesit publik dhe jo të interesave direkte personale.
Në rastin e ligjit të lustracionit, Komisioni i Venecias vërejti se përderisa Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar zbatimin e ligjit të lustracionit, praktikisht ajo kishte vendosur edhe pse në konflikt të supozuar interesi dhe nëse ky vendim ishte i drejtë dhe në interesin publik, kështu duhet të ishte edhe vendimi përfundimtar mbi kushtetushmërinë e vetë ligjit.
E njëjta situate është edhe sot, dhe i njëjti gjykim mund të zbatohet edhe sot.
Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese mund të përdorë këtë opinion të mëparshëm të Venecias, sikurse është praktika normale gjyqësore, për të gjykuar edhe në rastin aktual, pa pasur nevojë për opinion të ri apo specifik të Komisionit. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që Kushtetuta i jep të drejtën të gjykojë kushtetushmërinë e çdo ligji dhe që ka jo vetëm përgjegjësinë por edhe aftësinë ta bëjnë këtë gjë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përfshirë në këtë rast Komisionin e Venecias duket vendim politik dhe jo profesional i gjykatës.