Paralele të padëshiruara shqiptaro-amerikane

Nga Anton Dede
Paralele të padëshiruara shqiptaro-amerikane

Kushdo që e njeh sadopak Amerikën dhe e krahason me vendin tonë, e ka fare të lehtë të kuptojë se sa larg janë këto dy vende apo dhe popujt që gjallojnë në to, nga njeri tjetri. Nuk është as vendi as qëllimi ynë që të merremi me shkaqet e hendekut të madh që na ndan nga gjigandi i përtej oqeanit. E, megjithatë, sado e çuditëshme të duket, nuk është e vështirë të gjenden dhe paralele apo analogjira, tjetër punë që këto paralele mund ta kenë drejtimin në kahje të kundërt. Për të mos u zgjatur po rrëfej disa syresh.

*   *   *

Po e filloj me një episod të thjeshtë. Po dilja nga shtëpia ime në Tiranë, për të shkuar në punë kur, diku afër pallatit shoh një fqinjën time që po thyente disa shishe. Pas “mirëmëngjesit”, kureshtja nuk më la që të mos e pyesja se pse po i thyente. “Që të mos i marrë njeri e t’i shesë” – ma ktheu ajo. Përgjigja e saj më befasoi nga që ishte larg çdo përfytyrimi të mundshëm. Edhe tani që kanë kaluar dekada nga ky episod, nuk arrij ta kuptoj plotësisht se pse ajo e bënte atë veprim që të mos i jepte mundësi ndonjë fukarai të fitonte ndonjë lek. Mbase arsyeja do kërkuar tek varfëria jonë ekstreme që na kultivoi dhe barazinë pikërisht në varfëri. Si të tillë, nuk e pranojmë dot që ai tjetri të fitojë diçka, qoftë edhe duke mbledhur shishe e kanaçe. Është një hamendje e imja, por kurrsesi përligjie për veprimin e saj.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Më bënin përshtypje hedhjet në rrugë, të llojeve të ndryshme, sa që një mësuese e Anglishtes na tha një ditë se Amerika njihet edhe si shoqëri e hedhjeve. Por, gjetkë e pata fjalën. Rastësisht më tërhoqi vëmendjen një detaj: kur kishin nxjerrë në rrugë ndonjë mobilje apo pajisje shtëpie, (që dukej fare e re dhe e kishe vështirë ta kuptoje arsyen pse e hidhnin, sipas logjikës sonë, sigurisht), pra shpesh, në një qese plastike vinin dhe vidat apo detalet e tjera që do t’i duheshin atij që do e merrte për ta montuar. Se ata që e hidhnin, e dinin fare mirë se ajo do të përfundonte në shtëpinë e ndonjë hallexhiu. Vetvetiu mu kujtua fqinja ime që po bënte të kundërtën. Mu dhimbs ajo dhe vetja që i përkas atij vendi tmerrësisht të varfër, pa pasur asnjë faj..

*   *   *

Po tregoj tani një përjetim tjetër. Në çdo fund viti, këtu në Amerikë, presidenti organizon një darkë të madhe apo parti, siç i thonë këtu, me gazetarë e të ftuar të tjerë. Në to nuk mungon kurrë edhe një humorist nga më të njohurit që i bën të qeshin pjesëmarrësit, kryesisht me gafat e presidentit gjatë vitit që po mbyllet. Por, si të mos mjaftonte kjo, vetë presidenti rrëfen episode nga veprimtaria e tij që ngjallin humor; ndonjëhere programin e plotëson edhe zonja e parë. Gjithçka kalon gëzueshëm, me as më të voglën qejfmbetje. Përkundrazi, numëri një i shtetit shkrihet së qeshuri, mbase më tepër se të tjerët.

Një ceremoni të tillë me gazetarët, ka nja dy vjet që nisi ta bëjë dhe kryeministri ynë aktual. Bukur, nga Amerika ka se ç’të mësojë apo dhe të marrë çdo njeri, qoftë qytetar i thjeshtë apo dhe politikan e shtetar. Kur e pyeti dikush se pse e organizoi një veprimtari të tillë, Rama i tha se ka ndjekur shëmbullin e presidentit amerikan. Përsëri nuk shoh asgjë për t’u kritikuar në gjithë këtë. Por, duke ndjekur ceremoninë, aq sa na u dha në media, mund të them pa e tepëruar se ajo jo vetëm që s’kishte asgjë të përbashkët me atë të presidentëve amerikanë por qe e kundërta e tyre, për të mos thënë një karikaturë e shëmtuar e atyre që kemi ndjekur çdo fund viti këtu. Ceremonia përshkohej jo nga humori, siç e donte rasti, por nga një nervozizëm, që s’kishte asgjë të përbashkët me një mbrëmje festive të fundvitit. Hedhje e pritje batutash mistreçe nga kreu i qeverisë, me thumba e mllefe inatçore, jo për të bërë për të qeshur pjesëmarrësit, por si e si për t’i denigruar ata, madje duke pohuar me cinizëm se “unë as që ju lexoj fare se ç’botoni ju”. Të kuptohemi: unë nuk kam qënë në asnjë nga këto pritje, por gjithë sa përmenda më lart i kanë pohuar shumë nga pjesëmarrësit. Madje, disa syresh edhe janë betuar se s’kanë për të shkuar më në pritje të tilla, aq të fyer e kanë ndjerë veten. Natyrshëm del pyetja: pse e organizoi kryeministri ynë artist atë pritje që, siç e shtjelluam më lart, s’ka asgjë të përbashkët me ato të presidentëve amerikanë?! Dhe përfundimi që nxjerr çdo njeri me mend në kokë është se nuk mjafton vetëm dëshira për të imituar amerikanët, por edhe të dish ç’të marrësh prej tyre dhe si ta vësh në jetë në realitetin që po jeton, aq më tepër kur është fjala për një person publik e sidomos kryeministër. Përndryshe imitimi shabllon kthehet në bumerang, siç edhe ka ngjarë me ceremonitë në fjalë dhe jo vetëm me to. Unë nuk e di nëse Rama do të organizojë përsëri ceremoni të tilla dhe aq më pak mendoj se gazetarët e fyer do të shkojnë në të. Çështje personaliteti.

*   *   *

Përjetimi i tretë i analogjive të padëshiruara ka të bëjë me fushatat zgjedhore. Kam ndjekur me interes shumë prej tyre. Më ka lënë përshtypje të veçantë se si e filloi debatin me Bushin e ri Xhon Kerri: “Unë nuk mendoj se kandidati tjetër e do Amerikën më pak se unë, por jam në garë me të për disa alterantiva, të cilat, sipas meje do të qenë më të suksesëshme për vendin tonë…”. Pra, ballafaqim idesh, mendimesh, alternativash, planesh, zgjidhjesh…

Vimë tani tek fushata e fundit zgjedhore presidenciale që po i afrohet fundit. O Zot, një gjuhë krejt tjetër, sikur nuk të besohet që janë dy kandidatë për president të vendit më demokratik në botë! As më shumë e as më pak, duke dëgjuar fjalimet apo dhe debatet e tyre, të kujtohen përplasjet e egra, sharjet, denigrimet, baltosjet gojështhurura të politikanëve tanë, që janë gati ta shqyejnë njeri tjetrin. Të ngjan se ka ndodhur e kundërta e asaj që pritej: sikur Trump e Klinton kanë huazuar nga elita jonë poltike jo vetëm fjalorin por dhe tematikën, duke rrëmuar në biografitë e njeri – tjetrit, deri dhe në gjërat më intime. Unë jam dakord që të dy kandidaturat mund të mos jenë zgjedhja e duhur, kur kam parasysh se numëri një i shtetit duhet të jetë jo vetëm politikan i zoti por dhe model për t’u ndjekur, si njeri. Por, nuk është momenti për këtë, duhej bërë që në përzgjedhjen e kandidaturave nga partitë përkatëse, në primaret. E ç’nuk po na shohin sytë e ç’po na dëgjojnë veshët! Po të mos isha dëshmitar okular i kësaj fushate, si zor ta besoja se ajo po zhvillohet në Amerikë.

Mund të vazhdoja dhe më gjatë me analogji të tilla të padëshiruara, por sot po mjaftohem me kaq. Dhe këto që përmenda, nuk i solla thjesht për kuriozitet por nisur nga dëshira e mirë se mund të përfitohet jo vetëm nga përvoja pozitive e njeri – tjetrit por dhe nga gabimet e mangësitë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>