Presidenti Barack Obama ka nisur sot vizitën e tij të fundit zyrtare jashtë SHBA-ve. Turi i presidentit amerikan do të përfshijë Greqinë, Gjermaninë dhe Perunë.
Presidenti Obama do të zhvillojë paraditen e sotme një takim me kryeministrin grek në Athinë. Në qendër të bisedimeve do të jenë reformat ekonomike të Greqisë. Presidenti amerikan dhe kryeministri grek Tsipras do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit.
Barack Obama do të takojë dhe Presidentin grek Prokopis Pavlopulos në një darkë shtetërore.
Të enjten presidenti amerikan do të udhëtojë për në Gjermani për të takuar kancelaren Angela Merkel.
Ben Rhodes, zëvendës këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, theksoi rëndësinë e takimit me kancelaren gjermane dhe e quajti atë si “partneren më të afërt të presidentit Obama gjatë gjithë presidencës së tij.”
Krerët më të lartë të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Spanjës do të jenë në Berlin ditën e premte për të takuar Presidentin Obama. Në qendër të bisedimeve do të jeta lufta kundër terrorizmit, imigracioni dhe presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump.
Ndalesa e fundit e Presidentit Obama do të jetë në Peru, ku do të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik mes shteteve të Azisë dhe të Paqësorit.
Barack Obama do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping dhe do të zhvillojë bisedime të veçanta me udhëheqësit e vendeve të përfshira në marrëveshjet tregtare me SHBA-të.
Vizita e fundit e presidentit Obama synon të shprehë mbështetje për një Evropë të bashkuar e të fuqishme dhe të sigurojë aleatët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë për sfidat e ndryshme globale.