Ditët e fundit, Ministri i Energjisë Gjiknuri ka propozuar rritjen e akcizës mbi gazin. Nëse ky propozim miratohet në Kuvend, për çdo litër gaz parashikohet të paguhet 13 lekë më tepër.
Gazi shitet aktualisht në treg me çmimin prej rreth 65 lekë për litër. Me rritjen e akcizës, çmimi i gazit do të rritet me rreth 25 për qind, duke shkuar në rreth 80 lekë për litër.
Në debatet në komisionet parlamentare, ashtu si në daljet televizive, argumenti kryesor me të cilat qeveria ka justifikuar këtë taksë ka qenë “për të disiplinuar një proces shumë kaotik të mbushjes së bombolave të gazit, i cili është bërë shkak për aksidente të shumta.”
“Shumë qytetarë dhe shumë pronarë pikash karburanti në vend që gazin e lëngshëm për automjete ta shesin vetëm për automjete, mbushin bombolat e njerëzve që shkojnë aty me biçikleta dhe makina,” deklaroi ministri Gjiknuri.
Pra, qeveria me anë të kësaj takse kërkon të rrisë sigurinë e qytetarëve. Por duke qenë se ajo nuk mund të diferencojë gazin që përdoret për ngrohje dhe gatim nga ai për furnizim makinash, atëherë ka vendosur rritjen e akcizës për të dyja rastet.
Ministri Gjiknuri apo zyrtarë të tjerë, gjithsesi, nuk kanë bërë publike asnjë të dhënë për numrin e aksidenteve nga mbushja e bombolave të gazit.
Në muajt e fundit, as shtypi nuk ka pasur raportime për aksidente të tilla. Kjo dhe për faktin se mbushja e bombolave të gazit për ngrohje apo gatim në pikat e karburantit, edhe pse pa asnjë kusht sigurie, është proces më pak i rrezikshme se sa procesi i mbushjes së një makine me gaz. Mbushja e bombolës së gazit ndryshon nga furnizimi i makinave me gaz, sepse mungesa e një valvule ajri e ngadalëson procesin, por mundësia që bombola të shpërthej përjashtohet.
Ndaj duket se justifikimi i qeverisë nuk qëndron. Madje vendimi i saj për të rritur artificialisht, përmes rritjes së akcizës, çmimin e një produkti rrit informalitetin.
Qytetarët gjithmonë do të do të blejnë gaz aty ku kushton më pak.