Që Kryeministri Edi Rama është i apasionuar pas mediave sociale është diçka që, tashmë, e dinë të gjithë.
Pothuajse të gjithë komunikimin e tij me publikun—përfshi njoftimin e projekteve, planeve dhe politikave të reja qeveritare—ai i ushtron përmes llogarisë së tij në Facebook.
Problemi serioz i kësaj mënyre qasjeje kryeministrore është se këto komunikime nuk janë dhe nuk mund të ruhen e administrohen si dokumenta zyrtare, siç e kërkon ligji, duke cënuar kështu rëndë nivelin e transparencës dhe llogaridhënies qeveritare.
Rrjetet e ndryshme sociale kanë komunitetet dhe kultura e tyre të veçanta të komunikimit, çfarë e bën secilin prej tyre më shumë apo më pak të përshtatshëm për këtë mënyrë propagandimi.
Kryeministri Rama përdori rrjetin social Reddit ku zhvilloi një bashkëbisedim sipas formatit Më pyet për çdo gjë (Ask Me for Anything) në prag të Samitit të Diasporës.
Por, ky komunikim pyetje-përgjigje u demaskua haptazi kur Kryeministrit iu bënë pyetje kritike, të cilat në mënyrë të pazakontë filluan të merrnin pëlqime negative nga profile në Reddit të krijuara vetëm pak orë përpara hapjes së këtij komunikimi.
Kur përdoruesi me emrin pershesh e pyeti për rritjen me 24 për qinde të taksës për blerjet online me vlerë mbi 20 euro, Rama u përgjigj se “kjo është një procedurë standarte që ne duhej të zbatonim në Shqipëri për të luftuar informalitetin i cili u ushqye edhe nga blerjen në internet.”
Dikush me emrin cool-penguins u kundërpërgjigj “Kjo nuk është e vërtetë. Nuk luftohet informaliteti duke e bërë më të vështirë për qytetarët të blejnë mallra online. Kjo nuk ka asnjë kuptim,” por përgjigjja e tij mori menjëherë pëlqime negative nga përdoruesit e rinj.
Të njejtët përdorues, shumë prej të cilëve të krijuar në të njejtën ditë, i bënë Kryeministrit pyetje me tone lavdëruese apo respekti. Të gjitha këto pyetje ishin të përqëndruara rreth Samitit të Diasporës.
Për shembull, dikush me emrin neritan9 pyeti, në komunikimin e tij të parë në Reddit, “Cili ishte motivi juaj për të organizuar këtë sipërmarrje të madhe, Samitin e parë të Diasporës në Shqipëri?”
Njësoj, blackie_al e pyeti “I dashur Kryeministër, përveç faktit se ju po mbani Samitin e parë të Diasporës në Shqipëri unë do të doja t’iu pyesja se çfarë kanë bërë institucionet shqiptare për të drejtën e votës për qytetarët që jetojnë jashtë?” (Vini re theksimin e qëllimshëm të fjalës “së parë” në pyetje.)
Ndërsa Brikeno kërkoi të dinte se “kush do të marri pjesë në Samitin e Diasporës”, kurse lili2016 e pyeti rreth “qëllimit” të tij.
U lejuan, gjithashtu, edhe disa pyetje për politikën e jashtme, për aq kohë sa ato lidheshin me Shqipërinë. Për shembull, një përdorues me profil të krijuar atë ditë, empg, “e pyeti […] për marrëdhënien me Greqinë.”
Një tjetër përdorues, limon1992, edhe ky për herë të parë në Reddit, donte të dinte diçka rreth Kosovës dhe Shqipërisë.
Të gjitha këtyre pyetjeve Rama iu përgjigj me përgjigje të gjata në një anglishte të kulluar.
Pyetjet e tjera dukeshin se ishin planifikuar t’i jepnin të gjithë bisedës një ndjesi më njerëzore, sikurse përdoruesi i ri pizzafriends, i cili e pyeti për “picën e tij të preferuar.”
E vetmja herë që Rama iu përgjigj me të vertetë një pyetje të një përdoruesi të rregullt të Reddit, përgjigja e tij ishte më pak e butë. Në përgjigje të pyetjes se cilat ishin planet e tij kundër “korrupsionit të lartë” ai iu referua raportit të fundit të Transparency International, i cili tregon “progresin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit.” Por, ashtu sikurse Exit.al shkroi dy ditë më parë, Shqipëria perceptohet si vendi i tretë më i korruptuar në Europë – dhe asnjë përparim deri më tani nuk përmendet në këtë raport.
Në këtë komunikim, Rama nuk iu përgjigj një sërë pyetjesh,—të gjitha nga përdorues të rregullt të Reddit— mbi Brexit dhe Donald Trumpin.
Ai, gjithashtu, injoroi pyetjen mbi partinë e re LIBRA të Ben Blushit, ndërsa iu dha komentuesve adresën private të postës elektronike të Kryebashkiakut Veliaj.
Përdoruesi i Reddit emrimbiemri123 u tregua mjaft i sjellshëm dhe plotësoi një listë të pyetjeve të cilave iu përgjigj Rama. Sikurse duket nga lista, ato nuk janë kurrsesi pyetje “për çdo gjë” sikurse ishte titulli i komunikimit.
Përdoruesit lewiscbe, i cili kërkoi të shihte një fotografi të skulpturave të Ramës, por kërkesa e të cilit u shpërfill, po ja plotësojmë ne dëshirën: