Shteti dhunues dhe qytetaret Moza dhe Mirela

Nga Ilri Aliaj
Shteti dhunues dhe qytetaret Moza dhe Mirela

Mozën e njoha personalisht diku një vit më parë, ndërsa Mirelën e njoh vetëm nga media. Që të dyja këto femra kanë hyrë në faqet kryesore të medias pasi janë dhunuar nga pushteti dhe për të dyja po pushteti ka ngritur padi penale.

Pranvera e këtij viti, pati si ekuinoks të saj protestat e shoqërisë civile, jo të asaj që ka vdekur dhe nuk i dihet varri, por asaj të vërtetës, kundra ndërtimit tek Parku i Liqenit. Në protestën e parë mediat, ato të vërtetat, na dhanë me zë dhe figurë se si një polic, nga ato që paguhet me taksat tona, qëllon dhe dhunon Mozën. Protestat vazhduan në fakt dhe po këta policë dhunuan edhe të tjerë qytetarë që protestonin. Moza kërkoi që çështja të ndiqet dhe për këtë bëri një kallëzim penal në Prokurori. Ky institucion, ende, nuk e ka mbyllur hetimin. Moza kërkoi ndihmë edhe nga Avokati i Popullit, por si zakonisht ai institucion është i padobishëm.

Pak ditë më parë, Moza më telefonoi dhe më tregoi se së bashku me aktivistë të tjerë të shoqërisë civile janë paditur nga Ministria e Rendit për “mos lejim të kryerjes së detyrës së policisë”.

Sërish, studentja Mirela, e cila protestoi për dhunën financiare, morale, psikike, të ushtruara direkt nga qeveria, hodhi salcë domate mbi ministren e Arsimit Nikolla.  Përsëri edhe në këtë rast ajo u kallëzua penalisht dhe tani rrezikon deri në 5 vjet burg. Akuza “ushtrim dhune ndaj një personi me funksione zyrtare”.

Historia e Mirelës është ajo e shumë studentëve shqiptarë, me prindër të papunë, me asnjë ndihmë financiare dhe me një tarifë shkollore të pamundur për tu paguar. Të gjitha këto janë pasojë e asaj që ministrja Nikolla e quan reformë dhe që kryeministri e mbron me të madhe.

Janë vetëm dy raste dhune direkte nga qeveria mbi dy qytetare të mira. Sigurisht anë e mbanë Shqipërisë ka me mijëra të tillë, por ne shumë pak informohemi lidhur me këtë shtet dhunues të qytetarëve. E për sa kohë ne nuk protestojmë si Moza dhe Mirela me keqardhje e them se dhuna do të vazhdojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>