Në një artikull të gazetarit Gjergj Erebara, të botuar në Reporter.al, raportohet se Bashkimi Evropian nuk i ka vënë kusht Shqipërisë të lejoëj importimin e plehrave. Kjo është përgjigjja e Komisionit Evropian për Mjedisit për letrën e dërguar nga Ministria e Integrimit më 7 nëntor. Në letër thuhet se ligji i cili lejon importin e plehrave është në përputhje me “rregullat evropiane”.
Rregulloret e BE-së lejojnë vendet të ndalojnë importin e mbetjeve në rast se ky import nuk është në përputhje me planin vendas për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Gjithashtu, lejojnë edhe importin e plehrave si përfitim nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave.
Përgjigjja e Komisionit thekson se rregullorja 1013/2006 mbi Plehrat nga njëra anë e lejon importin e plehrave në një vend anëtar dhe nga ana tjetër i jep të drejtë qeverisë të çdo vendi anëtar të vendosë rast pas rasti, në përputhje me planet kombëtare të menaxhimit të plehrave.
Qeveria shqiptare u përpoq të merrte një miratim nga Brukseli për ligjin e importit të plehrave, pasi Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi kthimin e tij për diskutim në Kuvend më 14 tetor, me shpresë se një përgjigje pozitive do të ndihmonte argumentin e saj në favor të importit.
Dekreti i Presidentit Nishani për rikthimin për diskutim në Kuvend të ligjit të qeverisë pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 24 nëntor. Organizatat e shoqërisë civile kanë njoftuar protestë gjatë të gjithë ditës para Kuvendit të Shqipërisë duke kërkuar anulimin tërësor të importit të plehrave.
Shqipëria ka një gamë të gjerë detyrimesh në lidhje me menaxhimin e plehrave para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në raportin e Progresit për vitin 2016 për kapitullin që lidhet me Mjedisin dhe Ndryshimet Klimaterike, Komisioni Evropian thekson se Shqipëria ka “nivel të ulët përgatitjeje“.
Kjo është nota 2 nga pesë nota me të cilat Brukseli mat ecurinë e një vendi kandidat për anëtarësim. Në lidhje me ligjin mbi importin e plehrave, Raporti i Progresit thotë se zbatimi i këtij ligji kërkon që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave.”