Prokuroria ka nisur dje hetimet për Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas padisë së PD-së pak ditë më parë.
Partia Demokratike e ka paditur ministrin Beqaj për shpërdorim detyre për koncesionin e kontrollit shëndetësor falas të popullsisë për moshën 40 – 65 vjeç, të njohur si Check Up Falas.
Sipas opozitës, dëmi që ministri i ka shkaktuar buxhetit të shtetit është më i lartë se 16 milionë Euro.
Ndaj ministrit Beqaj ka pasur në mënyrë të vazhdueshme akuza për korrupsion dhe mungesë transparence me fondet publike.
Prej një viti, prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda po hetojnë tre koncesione dhënë nga ministri Beqaj: sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë, kontrollin shëndetësor falas me vlerë 120 milionë dollarë dhe shërbimin e hemodializës me vlerë 86 milionë dollarë.
Deri më tani, janë marrë në pyetje dhjetëra punonjës të ministrisë dhe janë sekuestruar dokumentet lidhur me koncesionet.