Kthehet rreziku i kredive të këqija dhe falimentimit ekonomik

Kthehet rreziku i kredive të këqija dhe falimentimit ekonomik

Banka e Shqipërisë raporton se kreditë e këqija arritën në 21,35 për qind të totalit të kredive, në muajin tetor 2016. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2015, kreditë e këqija janë rritur me 3,13 pikë për qindje.

Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kreditë e këqija kanë vazhduar të rriten, pavarësisht masave të ndryshme që janë marrë nga qeveria apo Banka e Shqipërisë.

Në dhjetor 2015, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave ranë dakort që bankat e nivelit të dytë të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e konsideruara si përfundimisht të pambledhshme, duke i kontabilizuar ato si shpenzime të zbritshme, gjë që më parë nuk lejohej (lexo këtu për më shumë).

Fshirja e kredive të këqija bëri që në dhjetor 2015 niveli i kredive të këqija të ulej, menjëherë, nga 20,38 për qind në 18,22 për qind. Sipas ministrit të atëhershëm të Financave Shkëlqim Cani, ulja e portofolit të kredive me probleme do të gjallëronte ekonominë, ndaj zbatimi i planit për të ulur kreditë shihej si domosdoshmëri.

Kjo nismë artificiale që u dha mundësi bankave të ulnin në letër volumin e kredive të pambledhshme, nuk pati asnjë ndikim real në ekonomi edhe pse u reklamua nga qeveria si përmirësim i gjendjes ekonomike.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë, prej 2011-ës, ka ulur vazhdimisht normën bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet e saj më të ulta historike—1,25 për qind—me qëllim për të ulur normat e interesit të kredive të bankave dhe për të nxitur kështu kredimarrjen.

Megjithatë, vetëm 11 muaj më pas, kreditë e këqija janë rritur me 3,13 pikë përqindje nga niveli i ulur artificialisht i dhjetorit 2015—pra, më shumë edhe se ulja artificiale.

Duket se asnjë nga masat e qeverisë apo të Bankës së Shqipërisë nuk ka rezultuar e suksesshme për të ulur realisht kreditë e këqija dhe për të përmirësuar raportet financiare mes bankave dhe debitorëve të tyre.

Kreditë e këqija janë rrezik i qartë për falimentimin e disa bankave që do të ishte goditje me pasoja të rënda për ekonominë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>