Në një artikull të gjatë në gazetën e tij Shqiptarja.com, gazetari italian Carlo Bollino u tregua mjaftueshëm i sjellshëm për t’iu përgjigjur recesionit tim mbi Bunk’Art 2, publikuar në Exit.al më 21 nëntor.
Në përgjigjen të tij, Zoti Bollino më drejtohet mua me fjalët “bashkëpunëtori hollandez” i gazetës Rilindja Demokratike të Partisë Demokratike.
Përveç faktit ironik se “bashkëpunëtor” është një fjalë tipike e gjuhës së diktaturës komuniste, duket se Bollino ra pre e një situate shumë të zakonshme. Dikush me përvojën e tij në fushën e medias shqiptare duhet ta kishte kuptuar se Rilindja Demokratike kopjoi, pa lejen time apo lejen e Exit.al, një variant në gjuhën shqipe të artikullit të publikuar më 3 dhjetor.
Për rrjedhojë Bollino harxhon pjesën më të madhe të artikullit të tij duke sulmuar “argumentet qesharake” të “analistit Berishian”, i cili ekziston vetëm në imagjinatën e tij paranojake.
Por në ndryshim nga amatorizmi i tij në vërtetimin e fakteve – unë nuk jam i punësuar në gazetën Rilindja Demokratike, dhe as nuk mbështes politikat e saj editoriale.
Artikulli i gazetarit Bollino paraqet një fakt të ri rreth Bunk’Art 2, të cilin unë nuk e kisha kuptuar në kohën kur shkrova recesionin tim: Carlo Bollino është vetëemëruar “kurator i përgjithshëm” i Bunk’Art 2.
Le ta sqarojmë edhe njëherë se Carlo Bollino është aktualisht pronari i disa mediave të afërta me Kryeministrin Rama, përfshi gazetën Shqiptarja.com, e cila kishte të drejtën ekskluzive të mbulonte hapjen e muzeut të kuruar nga vetë Bollino.
Në fakt, Bollino thotë se Bunk’Art 2 nuk është muze, por “një ekspozitë moderne video-muzeale, në të cilën historia rrëfehet në një formë më tërheqëse dhe, ku është e mundur, artistike.”
Fatkeqësisht, mendjemprehtësia artistike e Bollinos është e zhvilluar po aq sa cilësia e gazetarisë së tij.
Përpos paaftësisë së tij për të vërtetuar faktin se unë nuk kam punuar apo shkruar kurrë për Rilindjen Demokratike, ai është edhe përgjegjësi kryesor për gabimin trashanik dhe të turpshëm të veshjes Primo Levit të një citimi shumë të famshëm të George Santanas, në hyrje të ekspozitës, “Të gjithë ata që harrojnë të shkuarën e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë”.
“Një kurator i përgjithshëm” duhet ta dinte shumë mirë këtë gjë, madje edhe një amator mund ta verifikonte me një kërkim të thjeshtë në Google.
Në artikullin e tij, Bollino ankohet për “bllokadën kulturore të përbërë nga paragjykime e tabú” si nga ana e komunistëve dhe e antikomunistëve, të cilët nuk vlerësojnë punën e tij krijuese, kuratoriale.
Duket se ai nuk e kupton se unë—as komunist dhe as antikomunist—nuk jam fare i interesuar të ngre bllokada kulturore, por e mbështeta recesionin tim për Bunk’Art 2 në disa parime të thjeshta dhe të zakonshme, si:
- A është i saktë informacioni që jepet në ekspozitë ?
- A është informacioni që jepet në ekspozitë i kuptueshëm si për shqiptarët, ashtu dhe për të huajt?
Ashtu sikurse e bëra të qartë në recesion, elementë të ndryshëm të ekspozitës janë thjeshtë të rreme. Për më tepër, përkthimi i tyre në gjuhën angleze është i një cilësie të tmerrshme dhe mund të keqkuptohet nga një turist i pafajshëm.
Në përgjigjen e tij, Bollino nuk i ka dhënë përgjigjet asnjërit prej këtyre vëzhgimeve.
Sa për kuptueshmërinë e ekspozitës, ai e gjen absurd faktin se unë kërkoj “interpretim”:
Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem (duke qenë se kam jetuar për gati katër vjet në Izrael si korrespondent, ishte e pashmangshme të mos influencohesha) nuk bën asnjë interpretim të shfarosjes naziste të cilën e rrëfen: thjesht e tregon.
Së pari, në parantezë Bollino rreket të justifikojë plagjiarizmin e dobët (jo “influencën”) të Yad Vashemit në hyrje të Bunk’Art 2, por nëse ai me të vërtetë do të ishte kaq shumë i ndikuar nga trashëgimia e holokaustit, si mundet të gabonte shprehjen e Primo Levit? Apo ai e ka shkruar atë vetëm për të rënë në sy?
Problemi qëndron në faktin se Bollino ngatërron atë të cilën unë e quaj “interpretim” me “shpjegim”.
Përveç faktit se pretendimi i Bollinos është keqkuptim i madh dhe thjeshtëzim i pohimit se Yad Vashem është “vetëm një shfaqje” (kontrolloni faqen zyrtare të tyre), unë nuk kërkova ndonjë shpjegim për krimet e diktaturës komuniste dhe për njerëzit që kanë vuajtur nën të.
Unë kërkova që ekspozita të japë një interpretim të fakteve historike, sepse ato janë e vetmja mënyrë për të “treguar historinë”: shkakun dhe pasojën, veprimin dhe kundërveprimin, lidhjet logjike, pra një narrativë te lidhur logjikisht.
Mund të jap një shembull të prekshëm. Në recesionin tim, unë kundërshtova pohimin se Bunk’Art 2 është i vendosur në një bunker atomik. Nuk ka asnjë provë të dokumentuar se bunkeri u ndërtua për të përballuar sulme atomike, dhe atij nuk i është bërë kurrë asnjë referencë në ndonjë dokument shtetëror si “bunker anti-bërthamor”.
Në dallim nga ky fakt, argumenti i Bollinos bazohet në një spekullim të pastër:
Ndërtimi gjatë viteve 1970 dhe 1980 me mure guri, hekuri dhe betoni me trashësi prej 240 cm, me pesë hyrje të blinduara, nuk e bëjnë atë një bunker atomik?
Çfarë teknologjie tjetër më shumë se kaq mund të zotëronte Shqipëria për të ndërtuar një bunker kundër sulmeve atomike?
Quajtja bunker atomik e ndërtimit poshtë Ministrisë së Brendshme, ashtu sikurse e quan Bollino, është një veprim interpretimi, duke sugjeruar një rrëfim që mund ta lidhë bunkerin shqiptar me kontekstin më të gjerë të kërcënimit bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë.
Bollino në mënyrë retorike pyet, “në fund të fundit, çfarë ndryshon në se janë anti-bërthamorë apo jo?”.
Unë do të thoja se ka shumë rëndësi, sepse të përpiqesh t’i vesh emrin e duhur gjërave, të përdorësh prova, të diskutosh, të mbrosh, dhe të zhvillosh argumente në një debat të hapur, janë fillesat e një dialogu të vërtetë me të shkuarën.
Nëse Bollino nuk do t’ia dijë për hollësi të tilla, ai nuk duhet kurrë të kishte nisur një projekt për diktaturën komuniste.
Rezultati i kësaj moskokëçarje përballë fakteve del qartë në të gjithë ekspozitën. Sepse Bunk’Art 2 nuk interpreton dhe tregon historinë.
Ai thjeshtë mbush një hark kohor, i cili nis me historinë e xhandarmërisë në vitin 1913 dhe mbaron me laboratorin kriminalistik të vitit 2000, me “terrorin komunist” të ngjeshur në mes instalacioneve artistike të palidhura dhe zhurmave çoroditëse. Të krahasosh Bunk’Art 2 me Yad Vashem është deluzionale, në mos – një fyerje për këtë të fundit.
Ndoshta , në një kontekst tjetër, ne mund t’ia falin amatorizmin dhe mungesën e dijes Bollinos, përpos kësaj, ai asnjëherë nuk ka studiuara për kurator arti apo nuk ka publikuar diçka thelbësore për të shkuarën komuniste.
Ndoshta i frymëzuar nga shembulli ndriçues i shefit të tij (i cili meqë ra fjala, nuk ndrit shumë larg plagjarizmit), ai mendoi se mund të bëjë diçka në “një mënyrë artistike”.
Gjithmonë, amatorët janë ato që reagojnë më shumë ndaj çdo kritike – ndaj ndoshta ne duhet ta kuptojmë paranojën e tij për larot e Berishës të cilët e persekutojnë atë në çdo kthesë të karrierës së tij, dhe nga të cilët ai nuk mund të shkëputet.
Por ne nuk mund dhe nuk duhet ta falim Bollinon për Bunk’Art 2.
Sepse ai është ndërtuar me para publike – para të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të donin që qeveria e tyre ta marrë seriozisht historinë, në vend që ta kthejë atë një park tematik në duart e një gazetari italian.
Paratë të cilat u shpërdoruan në mënyrë të papërgjegjshme nga Bollino mund të ishin përdorur për qëllime më të mira: për një kërkim të vërtetë, për diçka që do t’i mbijetojë kohës, ose të paktën për zgjedhjet e ardhshme.
Mbrojtja e fundit e Bollinos, e cila është edhe më e dobta, është se Bunk’Art 2 ka patur “sukses të madh”.
Si mundet të quhet ai i suksesshëm! Për kë ka qënë i suksesshëm?
Apo ai është sukses të madh sepse Bollino fiton 500 lekë për çdo vizitor, të cilin e fton me hile të hyjë brenda!