Përfundimtare: BE, nuk ka negociata me Shqipërinë deri sa të përmbushen pesë kushte kyçe

Përfundimtare: BE, nuk ka negociata me Shqipërinë deri sa të përmbushen pesë kushte kyçe

Këshilli Europian—takimi i kryeministrave të vendeve të BE-së—i cili u mblodh sot në Bruksel nuk arriti të miratonte deklaratë në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së, që përfshin të gjitha vendet në faza të ndryshme të integrimit: Turqinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

Austria vendosi veton pasi ajo kërkon përjashtimin e Turqisë nga paketa e zgjerimit dhe për rrjedhojë ka kërkuar që vlerësimi i BE-së për Turqinë të hiqej nga teksti i deklaratës.

Pavarësisht mosmiratimit zyrtar të deklaratës, Këshilli Europian u shpreh se ai mbështet plotësisht dhe i quan zyrtare të gjitha gjetjet e përfshira në projektin e deklaratës, tekst që u hartua në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët u takuan të hënën në Bruksel.

Kjo do të thotë se pjesa për Shqipërinë në tekstin e deklaratës së pamerituar është praktikisht qëndrim zyrtar i BE-së.

Sikurse bëmë të njohur më parë, BE i kërkon Shqipërisë të zbatojë pesë kushte, përfshi zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zhvillimin e zgjedhjeve sipas sipas standarteve ndërkombëtare.

Gjithashtu, BE i kërkon Shqipërisë të zbatojë standardet europiane në marrëdhëniet me fqinjët e të heqë dorë nga retorikat e panevojshme kundër fqinjëve, si dhe përmirësimin e respektimit të të dejtave të njeriut dhe të drejtës së pr0nës.

Më poshtë janë pikat kryesore të deklaratës së Këshillit Europian në lidhje me Shqipërinë:

  • Këshilli mirëpret hapat kryesorë të ndërmarra nga Shqipëria nëpërmjet miratimit unanim të ndryshimeve kushtetuese, në Korrik 2016;
  • Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës i të pesë prioriteteve kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave për anëtarësim;
  • Këshilli inkurajon Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet për një reformë në drejtësi tërësore dhe të plotë, …. duke përfshirë përfundimin e procesit të rivlerësimit të të gjithë anëtarëve të sistemit të drejtësisë;
  • Këshilli nënvizon se Shqipëria nevojitet të intensifikojë përpjekjet e saj dhe të sigurojë arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, në çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe në luftën ndaj kultivimit e trafikimit të drogës;
  • Niveli shumë i ulët i dënimeve për veprat penale të krimit të organizuar, duke përfshirë pastrimin e parave dhe rastet e trafikimit të qënieve njerëzore, mbetet një çështje për tu trajtuar me masat e duhura, duke përfshirë përforcimin e bashkëpunimit polici/prokurori;
  • Këshilli thekson nevojën për respektimin e të drejtave si dhe zbatimin efiçent të së drejtës së pronës. Në këtë kontekst, Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të plotësojë boshllëqet e rëndësishme ligjore;
  • Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, i cili mundëson përjashtimin e kriminelëve nga zyrat publike, është çelësi për rritjen e besimit të qytetarëve tek përfaqësuesit politike dhe institucionet publike;
  • Këshilli […] inkurajon Shqipërinë të përmirësojë më tej klimën e biznesit dhe sipërmarrjes dhe të vazhdojë fuqishëm konsolidimin fiskal;
  • Këshilli thekson finalizimin e reformës zgjedhore, duke adresuar rekomandimet shumë të vlefshme dhe të rëndësishme të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE, për të garantuar zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare;
  • Veprime apo deklarata të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira me fqinjët duhet të shmangen. Këshilli këshillon bashkërendimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>