Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për të pezulluar ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i vetingut.
Sipas burimeve të OraNews , 6 gjyqtarë kanë votuar kundër kërkesës së opozitës, ndërsa dy pro.
Në orët në vazhdim pritet zyrtarizmi i vendimit, i cili i hap rrugë zbatimit të ligjit të vetingut.
Ligji është një nga shtatë ligjit që plotësojnë paketën e reformës në drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligj u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.
Në tetor, Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin.
Ekspertët e opozitës pretendonin se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit te kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.
Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion miqësor lidhur me ligjin.
Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias bëri të ditur qëndrim e saj.
Komisioni nuk vlerëson kushtetueshmërinë e ligjit, çka është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por përputhshmërinë e përgjithshme të tij me standardet europiane.
Në lidhje me çështjen nëse lejon apo jo ligji ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni shprehet se roli i dy organeve—Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cënon funksionimin e institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.