Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës gjatë gjithë natës kanë shkakatuar ngrica e bllokuar dhjetëra rrugë në gjithë vendin.
Në qarkun e Kukësit, bora ka arritur në nivelin e 35 centimetrave. Të gjithë akset rrugore, përfshirë dhe Rrugën e Kombit, janë të kalueshme vetëm me zinxhira për shkak të ngricës e dëborës. Në tunelin e Kalimashit dëbora ka arritur në nivelin e 70 centimetrave.
Borëpastrueset po pastrojnë rrugët për të bërë të mundur qarkullimin e makinave.
Kukësi dhe Hasi nuk kanë energji elektrike që prej mbasdites së djeshme. Specialistët e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit nuk kanë arritur ende ta zgjidhin defektin e janë detyruar të ndërpresin punën prej temperaturave të ulëta. Një elektriçist rrezikoi të humbiste jetën gjatë punës për rregullimin e defektit.
Disa zona si Topojan, Shishtavec, Surroj, Kalisë, Malzi e Zapod janë bllokuar.
Në qarkun e Shkodrës, pothuaj të gjithë akset rrugore janë të pakalushme. Aktualisht borëpastrueset po punojnë për hapjen e Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë.
Rreshjet e dëborës në kët qark kanë qenë më të dendura dhe trashësia e saj arrin nga 70 deri në 120 centimetra.
Po ashtu situata paraqitet e rënduar në qarkun e Dibrës. Rrugët Qafë Bualli-Peshkopi, Burrel-Qafë Bualli, Skuraj-Burrel janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërkohë që segmentet Muhurr-Çidhen-Lurë, Muhurr-Çidhen-Reç, Muhurr-Selishtë, Lurë-Peshkopi, Klos-Ziver, Klos-Kurçelaj dhe Klos-Gurrë e Sipërme janë të pakalueshme.
Në segmentin e rrugës së Kombit në qarkun e Lezhës, Rrëshen – Fan – Tunel kalimi është shumë i vështirë pavarësisht zinxhirëve. Ndëkohë akset e tjera në këtë qark janë të kalueshëm me zinxhirë.
Po ashtu, në Librazhd, në qarkun e Elbasanit, zonat Hotolisht dhe Polis, me gjithë fshatrat pranë tyre, janë bllokuar totalisht. Në asin rrugor që lidh këto zona me pjesët e tjera të qarkut, Luik – Stërblevë trashësia e dëborës ka arritur në një metër.